Ditë zie në Kiev pas sulmeve ruse të natës së kaluar, në të cilat e humbën jetën 24 persona
- Në Kiev sot është shpallur ditë zie pas sulmeve intensive ajrore ruse ndaj kryeqytetit ukrainas natën drejt të enjtes, ku humbën jetën 24 persona, mes tyre edhe tre fëmijë.
Kiev, 15 maj 2026 (MIA) – Në Kiev sot është shpallur ditë zie pas sulmeve intensive ajrore ruse ndaj kryeqytetit ukrainas natën drejt të enjtes, ku humbën jetën 24 persona, mes tyre edhe tre fëmijë.
“Shpëtimtarët po vazhdojnë pa ndërprerje kërkimin e njerëzve në rrënojat e ndërtesës në qarkun Darnicki", kumtuan sot shërbimet shtetërore të emergjencës, duke bërë të ditur se numri i të vdekurve është rritur në 24 nga 21 më parë. 47 persona janë plagosur në sulmet.
Në sulmet ukrainase ndaj qytetit rus Rjazan, në juglindje të Moskës, e kanë humbur jetën tre persona, kurse 12 të tjerë janë plagosur, njoftuan autoritetet lokale.
Ushtria ruse deklaroi se gjatë natës ka rrëzuar 355 dronë ukrainas, shumica e tyre mbi zonat kufitare
Sulmi rus me raketa dhe dronë ndaj Ukraine, i kryer natën drejt të enjtes, ndodhi 48 orë pas armëpushimit tre-ditor me rastin e përkujtimit të përfundimit të Luftës së dytë botërore dhe konsiderohet si një nga sulmet më intensive dhe më vdekjeprurëse ndaj Kievit në periudhën e fundit.
Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia ka lëshuar 675 dronë dhe 56 raketa balistike, nga të cilat mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar 652 dronë dhe 41 raketa.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi mbrëmë se janë sulmuar rreth dhjetë qarke në Kiev dhe zonat përreth. Në distriktin Darnicki, një raketë balistike “bukfalisht rrafshoi një ndërtesë banimi nga kati i parë deri në të nëntin”, tha ai.
Zelenski e akuzoi Rusiën se brenda më pak se 24 orësh ka lëshuar më shumë se 1.560 dronë.
“Sigurisht që këto nuk janë veprime të atyre që mendojnë se lufta po i afrohet fundit”, shkroi Zelenski, duke iu referuar deklaratës së homologut të tij rus Vladimir Putin më 9 maj.
Aleatët e Ukraine e dënuan sulmin e fundit, ndërsa presidenti francez Emanuel Makron e quajti atë një dëshmi të dobësisë së Rusisë, e cila “nuk di si ta përfundojë agresionin e saj”.
Bombardimet tregojnë se "Moska mbështetet te përshkallëzimi në vend të negociatave”, shkroi kancelari gjerman Fridrih Merc në platformën "Iks",
Negociatat mes Kievit dhe Moskës me ndërmjetësimin e SHBA-së janë në ngërç që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit. I vetmi përparim konkret nga bisedimet e mëparshme kanë qenë shkëmbimet e të burgosurve të luftës.
Sipas mediave ruse, shkëmbimi i fundit i tillë është kryer sot, ku janë shkëmbyer nga 205 të burgosur lufte.
Ndërkohë, Zelenski u bëri thirrje aleatëve të ushtrojnë presion mbi Moskën për t’i dhënë fund pushtimit të nisur në shkurt të vitit 2022.
Një zyrtar i lartë nga kabineti i presidentit ukrainas deklaroi se sulmi më i fundit përbën “një demonstrim gjatë bisedimeve të presidenti amerikan Donald Tramp në Kinë me liderin kinez Si Xhinping”. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s