Dita e Gjyqësisë - 31 Marsi: ndërmjet historisë, reformave dhe sfidave të reja
- – Në vend sot shënohet Dita e Gjyqësisë, datë e cila e bart simbolikën e pavarësisë institucionale dhe themelet e para të sistemit gjyqësor në vend. Në këtë ditë në vitin 1945, KAÇKM e miratoi Kartën mbi Organizimin e Gjykatave të Rregullta Popullore, me çka ishin themeluar 25 gjykata të qarkut, tri gjykata rajonale në Shkup, Shtip dhe Manastir dhe Gjykata Supreme – shtylla e parë qendrore e sistemit gjyqësor në Maqedoninë Federale të atëhershme.
Shkup, 31 mars 2026 (MIA) – Në vend sot shënohet Dita e Gjyqësisë, datë e cila e bart simbolikën e pavarësisë institucionale dhe themelet e para të sistemit gjyqësor në vend. Në këtë ditë në vitin 1945, KAÇKM e miratoi Kartën mbi Organizimin e Gjykatave të Rregullta Popullore, me çka ishin themeluar 25 gjykata të qarkut, tri gjykata rajonale në Shkup, Shtip dhe Manastir dhe Gjykata Supreme – shtylla e parë qendrore e sistemit gjyqësor në Maqedoninë Federale të atëhershme.
Dita e gjyqësisë është përkujtuese se sundimi i drejtësisë fillon pikërisht në gjykata.
Sot rrjeti gjyqësor është përhapur dukshëm dhe përfshin 27 gjykata themelore, katër gjykata të apelit (Shkup, Manastir, Gostivar dhe Shtip), Gjykatën Administrative, Gjykatën e Lartë Administrative dhe Gjykatën Supreme, si dhe 22 prokurori themelore publike dhe katër prokurori të larta publike (Shkup, Manastir, Gostivar dhe Shtip) dhe Prokuroria Publike Republikane.
Gjyqësori e shënon këtë ditë me pritje se viti 2026 do të jetë një nga më dinamikët në dekadën e fundit në lidhje me proceset e reformave. Edhe pse Kuvendi gjatë vitit 2025 miratoi rreth 220 ligje, publiku dhe sektori profesional vlerësojnë se ligjet më të rëndësishme, sistematike vijojnë në sferën e gjyqësorit.
Përjashtim bën Ligji i ri tashmë i miratuar për Këshillin Gjyqësor, i miratuar gjatë ditëve të fundit të vitit 2025. Ligji vendos kritere më të ashpra për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për shkak të asaj që definicioni paraprak “jurist i shquar” ishte shumë i gjerë dhe lejonte zgjedhje joprofesionale. Me këtë vendoset standard i ri për profesionalizëm, integritet dhe pavarësi në organin që e kontrollon pushtetin gjyqësor.
Një nga dokumentet qendrore që po kalon nëpër procedurën legjislative është Propozim ligj për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili tashmë ka kaluar leximin e parë në komisionet kompetente. Risitë e parashikuara në propozim ligj përfshijnë, ndër të tjera, procedurë të përmirësuar, transparente dhe të qartë për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, vendime të detyrueshme dhe të arsyetuara plotësisht, zbatim konsistent të sistemit të meritës, seanca publike, publikim publik të vendimeve, strukturë dy-nivelëshe të procedurave disiplinore me mbrojtje të garantuar gjyqësore dhe rol të zgjeruar dhe të forcuar të Këshillit në përzgjedhjen dhe shkarkimin e prokurorit publik.
Ndër ligjet që publiku pret është Kodi i ri Penal (KP). Nevoja për të është veçanërisht e theksuar për shkak të ndryshimeve të vitit 2023, ndaj të cilave reaguan si ekspertët vendas ashtu edhe Komisioni Evropian dhe të cilat lejuan që shumë raste të përballeshin me parashkrim absolut. Edhe pse KP i ri është në fazën përfundimtare të harmonizimit me direktivat e BE-së, si një "zgjidhje e përkohshme" u paraqit propozim ligj për të ndryshuar dhe plotësuar ligjin ekzistues, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2025, i cili urdhëroi Kuvendin të korrigjonte mangësitë kushtetuese.
Reformat nën thjerrën evropiane – Raporti i KE-së për vitin 2025
Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për vitin 2025, gjyqësori përsëri është në fokus. Vlerësimi është se shteti gjendet “ndërmjet nivelit të caktuar dhe mesatar të gatishmërisë”, por nuk është arritur progres.

Vërejtjet kyçe janë presione dhe përzierje të vazhdueshme nga degë të tjera të pushtetit, mjete të kufizuara financiare për gjyqësorin, sistem i pamjaftueshëm funksional për menaxhim me lëndë (AKMIS), mungesë serioze e kuadrit i cili e ngadalëson efikasitetin dhe e rëndon sistemin, si dhe zbatim të kufizuar të rekomandimeve paraprake.
KE rekomandon miratimin e Ligjit të ri për procedurë gjyqësore, përshpejtim të zbatimit të strategjive, fuqizim të Këshillit Gjyqësor dhe funksionalizim i plotë i AKMIS – sistemit të automatizuar për shpërndarje dhe ndjekje të lëndëve.
Në pjesën e luftës kundër korrupsionit, Komisioni shënon se korrupsioni mbetet i përhapur shumë, rastet në nivel të lartë përballen me vonesa dhe dënime minimale, institucionet si KSHPK dhe prokuroria kanë nevojë për fuqizim kadrovik dhe financiar, ndërsa miratimi i Ligjit Penal të ri modern mbetet detyrë e patjetërsueshme.
Mungesa e kuadrit – problem kronik sistematik
Në mbledhjen e 9-të të Grupit sektorial të punës për drejtësi vitin e kaluar Ministria e Drejtësisë i prezantoi të dhënat nga mbikëqyrja, me çka ministri Igor Fillkov informoi se plotësimi i vendeve gjyqësore është 67% (432 nga 636), ndërsa plotësimi i shërbimit gjyqësor është vetëm 36%. Kjo mungesë serioze e kuadrit sjell procedura të ngadalësuara, rritja të ngarkesës së punës dhe efikasitet të ulur.
Ministria paralajmëroi se pikërisht në vitin 2026 do të punohet në fuqizim të dukshëm kadrovik, si parakusht për digjitalizim dhe përmirësim të funksionalizmit dhe modernizimit të institucioneve.
Paralelisht me proceset institucionale, një pjesë e deklaratave politike paralajmërojnë ndryshime më të gjera në zgjidhjet kadrovike dhe strukturore në prokurori dhe gjyqësor. Edhe pse nuk janë saktësuar mekanizmat konkrete juridike, këto porosi e hapin debatin për balancime ndërmjet përgjegjësisë politike, pavarësisë së gjyqësorit dhe pritjeve publike për luftë më të vendosur kundër korrupsionit.
Dita e Gjyqësisë është përkujtuese se sundimi i drejtësisë fillon pikërisht në gjykata, përmes integritetit të tyre, pavarësisë, qëndrueshmërisë kadrovike dhe aftësisë që të sigurojnë drejtësi të njëjtë dhe me kohë për të gjithë.
Këtë vit shteti e shënon festën me një seri të proceseve të rëndësishme të reformave dhe shumë sfida institucionale, por edhe me pritje se viti 2026 mund të bëhet vit i ndryshimeve thelbësore, afatgjate dhe sistematike. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s