• сабота, 16 мај 2026

Dita e fitores mbi fashizmin

Dita e fitores mbi fashizmin

Shkup, 9 maj 2026 (MIA) – Bota sot shënon Ditën e fitores mbi fashizmin. Më 9 maj 1945, me nënshkrimin e kapitullimit të pakushtëzuar të Gjermanisë naziste, zyrtarisht përfundoi Lufta e Dytë Botërore, në të cilën morën pjesë 61 shtete, me gjithsej 2,1 miliardë banorë ose 96 për qind të popullsisë botërore, dhe që mori më shumë se 50 milionë jetë njerëzish.


Kapitullimi i pakushtëzuar i Rajhut të Tretë u nënshkrua në Berlinin e shkatërruar, vetëm disa minuta pas mesnatës, më 9 maj. Kapitullimin, në emër të Komandës së lartë gjermane, e nënshkruan feldmarshalli Vilhelm Kajtel, gjenerali Hans-Jurgen Shtumpf dhe admirali Hans Georg von Frideburg.Nga ana e aleatëve, marrëveshjen e nënshkruan marshali rus Georgi Zhukov dhe gjenerali britanik Artur Teder.


Nga mbi 50 milionë viktima, 20 milionë ishin nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm, ndërsa më shumë se 30 milionë ishin civilë.

Në kampet naziste u vranë rreth 12,5 milionë njerëz, prej tyre gjashtë milionë hebrenj. Dëmet materiale nga Lufta e Dytë Botërore vetëm në Evropa u vlerësuan në rreth 260 miliardë dollarë amerikanë.

Në Lindjen e Largët, lufta përfundoi më 2 shtator 1945, kur Japonia kapitulloi pas bombardimit Hiroshima dhe Nagasaki me armën deri atëherë të panjohur – bombën atomike.

Maqedonia gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në anën e koalicionit antifashist. Në luftimet kundër okupatorëve fashistë, sipas vlerësimeve të historianëve, në Maqedoni kanë humbur jetën 33.000 njerëz, përfshirë mbi 7.000 hebrenj maqedonas, të cilët u deportuan në kampin e përqendrimit Treblinka.

Me rastin e 9 Majit – Ditës së fitores mbi fashizmin, delegacione të shumta sot do të vendosin lule para monumentit “Çlirimtarët e Shkupit” në oborrin e Qeverisë dhe në varrezat partizane në Butel. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s
 

 

Остани поврзан