• сабота, 23 мај 2026

Dhuna ndaj grave dhe barazia gjinore në fokus të takimit Peshevska - Akim Ali

Dhuna ndaj grave dhe barazia gjinore në fokus të takimit Peshevska - Akim Ali

Shkup, 19 maj 2026 (MIA) - Kryetarja e Komisionit për mundësi të barabarta të grave dhe meshkujve, Zhaklina Peshevska, sot zhvilloi takim me dr. Akim Ali, përfaqësues i OBSH në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilin u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, si dhe për forcimin e përgjigjes institucionale.

Në bisedë, informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit, u theksua roli i rëndësishëm i Komisionit, i cili ka zhvilluar debat mbikëqyrës, përfshirë edhe debate publike të dedikuara dhunës ndaj femrave, si dhe zbatimit dhe ndryshimeve në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj femrave dhe dhuna në familje. U theksua gjithashtu nevoja për vazhdimësi në përgjigjen institucionale dhe për ndjekjen e zbatimit të detyrimeve ligjore.

Biseduan gjithashtu edhe për aspektet më të gjera të barazisë gjinore dhe drejtësisë sociale, përfshirë sfidat me të cilat përballen femrat në fusha të ndryshme të shoqërisë, në politikë, ekonomi, shërbimet shëndetësore dhe jetën e përditshme, si dhe rëndësinë e politikave që i njohin format e ndryshme të pabarazisë dhe cenushmërisë. Si shembull u përmend edhe çështja e pushimit të lehonisë për femrat në bujqësi, si një dimension i rëndësishëm i barazisë shëndetësore dhe sociale.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se për trajtimin e dhunës ndaj femrave nevojitet qasje e integruar dhe e koordinuar, me bashkëpunim të fortë ndërsektorial dhe me rol aktiv të sistemit shëndetësor. U theksua se shërbimet shëndetësore shpesh janë pika e parë e kontaktit për femrat që përjetojnë dhunë, prandaj është me rëndësi që punonjësit shëndetësorë t’i njohin me kohë shenjat dhe të ofrojnë mbështetje dhe udhëzim të duhur.

Në takim u theksua gjithashtu rëndësia që dhuna ndaj femrave të njihet në mënyrë adekuate në rregullativën shëndetësore dhe në dokumentet strategjike.

Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të politikave dhe zgjidhjeve ligjore që kontribuojnë në mbrojtje më të madhe, barazi dhe dinjitet për të gjitha femrat. Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të punojë me institucionet dhe partnerët e Kombeve të Bashkuara për forcimin e përgjigjes së koordinuar, me qëllim që çdo femër, pavarësisht se ku jeton, të mund të mbështetet në një sistem që do ta njohë, mbrojë dhe mbështesë atë. bsh/

Foto: Kuvendi i RMV-së

Остани поврзан