Deputetja Lasovska u zgjodh raportuese për seancën e ardhshme të PABSEK-ut
- Deputetja Bllagica Llasovska, shefe e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), mori pjesë në Mbledhjen e 67-të të Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, që u mbajt në Bukuresht, Rumani.
Shkup, 17 mars 2026 (MIA) - Deputetja Bllagica Llasovska, shefe e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), mori pjesë në Mbledhjen e 67-të të Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, që u mbajt në Bukuresht, Rumani.
Si[ njofton pres shërbimi i Kuvendit, në mbledhje, anëtarët e Komisionit diskutuan raportin me temën "Dimensionet juridike të qeverisjes digjitale dhe inovacionet në rajonin e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi". Diskutimi trajtoi sfidat dhe mundësitë që lidhen me zhvillimin e qeverisjes digjitale, nevojën për harmonizimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, si dhe rolin e parlamenteve në krijimin dhe mbikëqyrjen e kornizës juridike që rregullon transformimin digjital.
Anëtarët e Komisionit theksuan rëndësinë e forcimit të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e të dhënave personale, sigurinë kibernetike dhe transparencën në përdorimin e teknologjive të reja në administratën publike. Pas shqyrtimit të raportit, Komisioni miratoi dreft-rekomandimin që do t'i paraqitet për shqyrtim Asamblesë së Përgjithshme të PABSEK-ut.

Në fjalimin e saj, Llasovska theksoi se tema e qeverisjes digjitale është me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke pasur parasysh se transformimi digjital është i lidhur ngushtë me proceset e reformave dhe qëllimin strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi se vitet e fundit vendi ka miratuar disa ligje që hedhin themelet për kornizën juridike moderne për qeverisjen elektronike, duke përfshirë zgjidhjet ligjore për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Llasovska theksoi se digjitalizimi i administratës publike është përparësi në agjendën e reformave të vendit dhe se Kuvendi po monitoron dhe mbështet në mënyrë aktive zbatimin e këtyre politikave përmes funksioneve të tij legjislative dhe mbikëqyrëse. Ajo theksoi se, pavarësisht progresit të arritur në zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve digjitale, është e nevojshme të investohen përpjekje shtesë për të përmirësuar aftësitë digjitale në mesin e popullsisë dhe për të siguruar akses të barabartë në shërbimet digjitale për të gjithë qytetarët.
Në diskutimin e saj, Llasovska theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim të zgjeruar rajonal, duke pasur parasysh se sfidat që lidhen me sigurinë kibernetike, rrjedhën e të dhënave dhe teknologjitë e reja i tejkalojnë kufijtë kombëtarë.
Ajo vlerësoi se PABSEK-u mund të luajë rol të rëndësishëm në harmonizimin e kornizave juridike të vendeve anëtare me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe në shkëmbimin e praktikave të mira midis parlamenteve.
Në fund të prezantimit të saj, Llasovska theksoi se transformimi digjital duhet të bazohet në parimet e transparencës, llogaridhënies, përfshirjes dhe respektimit të të drejtave themelore, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet besimi midis qytetarëve dhe të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm i qeverisjes digjitale. Llasovska u zgjodh raportuese për Mbledhjen e ardhshme të 68-të të Komisionit, me temën "Mbështetja parlamentare për inovacionin: qasjet legjislative për avancimin e shkencës dhe teknologjisë në rajonin e PABSEK-ut". mb/
Foto: Kuvend