BDI: E dënojmë ashpër dhe pa asnjë rezervë trajtimin çnjerëzor, poshtërues dhe diskriminues të 76 të punësuarve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë
- Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër dhe pa asnjë rezervë trajtimin çnjerëzor, poshtërues dhe diskriminues të 76 të punësuarve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë, të cilët janë thirrur në punë dhe janë mbyllur në zyra pa kushte minimale njerëzore dhe pa asnjë detyrë pune, thuhet në deklaratën e BDI-së për mediat, të cilën MIA e transmeton në mënyrë integrale.
Shkup, 27 dhjetor 2025 (MIA) - Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër dhe pa asnjë rezervë trajtimin çnjerëzor, poshtërues dhe diskriminues të 76 të punësuarve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë, të cilët janë thirrur në punë dhe janë mbyllur në zyra pa kushte minimale njerëzore dhe pa asnjë detyrë pune, thuhet në deklaratën e BDI-së për mediat, të cilën MIA e transmeton në mënyrë integrale.
Vendosja e dhjetëra grave dhe burrave në tri zyra, pa karrige, pa tavolina pune, pa kompjuterë, pa mjete elementare dhe pa asnjë angazhim profesional, duke i detyruar të qëndrojnë në këmbë nga ora 08:00 deri në ora 16:00, përbën formë të hapur të mobingut institucional dhe torturës psikologjike.
Fakti që këta punonjës, për të mbijetuar ditën e punës, janë detyruar të improvizojnë duke u ulur në dysheme dhe duke sjellë batanije nga shtëpia, është një turp shtetëror që cenon dinjitetin njerëzor dhe shkel çdo standard ligjor, moral dhe evropian.
Edhe më e rëndë është sjellja pas këtij akti. Në vend që institucionet të marrin përgjegjësi për kushtet çnjerëzore që kanë krijuar, pamjet e kësaj situate janë keqpërdorur publikisht për linçim moral, ndërsa Kryeministri ka shkuar deri aty sa t’i akuzojë këto punonjës për “imoralitet”.
Bëhet fjalë për gra shqiptare, për nëna, për motra dhe bashkëshorte, të cilat janë poshtëruar nga shteti i tyre dhe më pas janë sulmuar publikisht nga kreu i qeverisë. Kjo është vijë e kuqe e kaluar dhe nuk mund të relativizohet, justifikohet apo heshtet. Për më tepër, edhe lidhur me këto ngjarje sulmohet BDI, ndërsa në fakt bëhet fjalë për nëpunës shteti, të cileve vet shteti duhet t’u siguroj kushte dhe trajtim dinjitoz.
Kryeministri ka për obligim moral dhe politik të kërkojë menjëherë falje publike ndaj këtyre grave, familjeve të tyre dhe mbarë komunitetit shqiptar për gjuhën fyese dhe për legjitimimin e një praktike që përkujton metodat më të errëta të diskriminimit institucional.
BDI kërkon përgjegjësi të plotë politike dhe administrative për këtë skandal, ndërprerje të menjëhershme të këtij trajtimi çnjerëzor dhe rikthim të kushteve normale dhe dinjitoze të punës për të gjithë të punësuarit.
Institucionet e shtetit nuk guxojnë të shndërrohen në hapësira ndëshkimi kolektiv mbi baza etnike. Dinjiteti njerëzor nuk është privilegj, por e drejtë themelore që nuk negociohet.
Foto: BDI