Debat publik lidhur me projektligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë në Komisionin parlamentar amë
- Duke pasur parasysh se Këshilli i prokurorëve publikë, ndër të tjera, vendos për zgjedhjen dhe avancimin e prokurorëve publikë, si dhe për zgjedhjen e drejtuesve të prokurorive, dhe me qëllim që të shmanget perceptimi në publik se ka negociata, marrëveshje dhe procedura të gjata, kemi paraparë afate të shkurtra në të cilat Këshilli është i detyruar të veprojë, theksoi, ndër të tjera, profesoresha Aleksandra Deanovska – Trendafilovska. Ajo është pjesë e grupit të punës që hartoi ligjin në debatin publik të sotëm për projektligjin, në organizim të Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.
Shkup, 7 prill 2026 (MIA) - Duke pasur parasysh se Këshilli i prokurorëve publikë, ndër të tjera, vendos për zgjedhjen dhe avancimin e prokurorëve publikë, si dhe për zgjedhjen e drejtuesve të prokurorive, dhe me qëllim që të shmanget perceptimi në publik se ka negociata, marrëveshje dhe procedura të gjata, kemi paraparë afate të shkurtra në të cilat Këshilli është i detyruar të veprojë, theksoi, ndër të tjera, profesoresha Aleksandra Deanovska – Trendafilovska. Ajo është pjesë e grupit të punës që hartoi ligjin në debatin publik të sotëm për projektligjin, në organizim të Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.
Qëllimi i kësaj zgjidhjeje ligjore, të cilën Komisioni e miratoi në lexim të parë në seancën e 27 marsit, është forcimi i rolit të Këshillit të prokurorëve publikë për zbatimin e suksesshëm të kompetencave për garantimin e pavarësisë së prokurorisë publike, në përputhje me standardet e BE-së. Ligjin e propozon Ministria e Drejtësisë, ndërsa Qeveria në një seancë të mbajtur në muajin shkurt e ka përcaktuar tekstin, me të cilin synohet të forcohet pavarësia, përgjegjshmëria dhe transparenca e sistemit prokurorial.
Deanovska – Trendafilovska theksoi se ky ligj është hartuar paralelisht me ligjin për Prokurorinë Publike dhe se qëllimi është që me atë të forcohet roli i Këshillit.
Ajo theksoi se gjatë hartimit të tij ishte dhënë një rekomandim nga partnerët ndërkombëtarë për depofesionalizim, por më pas, në konsultim me Komisionin e Venecias, është përcaktuar se anëtarësia në Këshill është e papajtueshme me ushtrimin e funksioneve të tjera publike.
Ajo foli edhe për kriteret dhe mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, duke iu referuar dispozitës për zgjedhjen nga radhët e juristëve të shquar, çështje që ka qenë objekt mendimesh të ndryshme edhe në lidhje me ligjin për Këshillin Gjyqësor.
Konform zgjidhjes së propozuar ligjore, në nenin 6 rregullohet përbërja e Këshillit, i cili është i përbërë nga 11 anëtarë.
– Këshilli përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve: sipas detyrës anëtar i Këshillit është Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut; një anëtar e zgjedhin prokurorët publikë në Prokurorinë Publike të Shtetit, nga radhët e tyre; nga një anëtar e zgjedhin prokurorët publikë nga zonat e prokurorive të larta publike në Manastir, Gostivar, Shkup dhe Shtip, nga radhët e tyre; një anëtar i Këshillit – përfaqësues i një bashkësie që nuk është shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut – zgjidhet nga të gjithë prokurorët publikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga radhët e tyre; dhe katër anëtarë të Këshillit i zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga radhët e profesorëve universitarë të drejtësisë, avokatëve, ish-gjyqtarëve të gjykatave ndërkombëtare dhe anëtarëve të organeve të tjera ndërkombëtare të drejtësisë dhe juristëve të tjerë të shquar, prej të cilëve dy janë përfaqësues të bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut – thuhet në projektligj.
Profesoresha Deanovska – Trendafilovska theksoi se një anëtar i Këshillit mund të zgjidhet sërish, por jo në mënyrë të njëpasnjëshme, pra duhet të kalojë një periudhë prej katër vitesh.
– Kjo bëhet me qëllim që të mos kemi persona që mbeten gjatë në këtë pozitë, pasiqë pozitat e tilla janë të ndjeshme – tha ajo.
Ajo shtoi se votimi në Këshill mund të jetë vetëm “pro” ose “kundër”, pra nuk ka mundësi për abstenim.
– Askush nuk është zgjedhur në Këshill pa pasur guximin të shprehë në mënyrë të argumentuar qëndrimin e tij – tha ajo.
Profesoresha Ana Çupeska theksoi se përmes ligjeve duhet të bëhet shpërndarja dhe kufizimi i pushtetshmërisë, por sipas saj, përmes këtij ligji instalohen tendenca autoritare në shoqëri.
– E drejta nuk duhet të jetë vetëm mbulesë formale për arbitraritetin politik dhe si qytetarë dhe intelektualë kemi të drejtë t’i dekonstruktojmë këto zgjidhje – tha ajo.
Ajo paraqiti disa vërejtje, ndër të cilat edhe se procesi i hartimit ka qenë jo përfshirës dhe me mungesë dialogu. Ajo mendon se me të vendoset një dominim hierarkik, bëhet politizimi i, siç tha, anëtarëve laikë përmes zgjedhjes me shumicë të thjeshtë dhe kryhet, sipas saj, edhe një “spastrim i brendshëm” përmes uljes së kritereve.
Profesorja Ruzhica Nikollovska, mes tjerash, iu referua përbërjes së Këshillit, respektivisht katër anëtarëve që i zgjedh Kuvendi nga radhët e profesorëve universitarë të drejtësisë, avokatëve, ish-gjyqtarëve të gjykatave ndërkombëtare dhe anëtarëve të organeve të tjera ndërkombëtare të drejtësisë dhe juristëve të tjerë të shquar, duke theksuar se duhet të përcaktohet çfarë nënkuptohet me “anëtarë të organeve të tjera ndërkombëtare të drejtësisë”.
Në bazë të kritereve sipas të cilave dikush mund të aplikojë për anëtarësim në Këshill, që e zgjedh Kuvendi dhe që është rregulluar në nenin 34, ajo tha se për kriteret “të jetë dalluar me punë shkencore ose profesionale në fushën e drejtësisë” dhe “të jetë dalluar me veprimtari publike në mbrojtje të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe të drejtave të njeriut”, nevojiten gjithashtu përkufizime më të qarta, duke pasur parasysh se, siç tha ajo, disa përfaqësues të profesionit dallohen përmes paraqitjeve publike dhe pjesëmarrjes në debate, por mbetet pyetja nëse kjo ka ndikim real në përmirësimin e gjendjes.
Margarita Caca Nikollovska, ish-gjyqtare në gjykatën në Strasburg, theksoi se shumë nene në projektligj janë deklarative dhe mbetet të shihet se sa me të vërtetë do të mund të zbatohen realisht në praktikë.
Ajo, ndër të tjera, iu referua pavarësisë së Këshillit dhe çfarë nënkupton ajo në thelb.
– Këshilli është organ i pavarur që siguron dhe garanton pavarësinë e prokurorëve publikë në ushtrimin e funksionit të tyre. Në ushtrimin e kompetencave të tij, Këshilli në përputhje me rrethanat i zbaton dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve – thuhet në nenin 2 të projektligjit.
– Pjesa e parë është mjaft deklarative sa i përket kuptimit të pavarësisë, por megjithatë është bërë përpjekje që ajo të rregullohet më qartë – tha ajo, duke shtuar se kjo është shumë e rëndësishme edhe në lidhje me mundësinë për mbrojtje gjyqësore, gjegjësisht procedurë para gjykatave administrative.
Ajo gjithashtu shtroi pyetjen se pse përmendet vetëm Ligji për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se Këshilli duhet të ketë parasysh edhe shumë ligje të tjera.
Sa i përket përbërjes, ajo theksoi se ka përparim, por shtoi se përsëri mbetet çështja e “juristit të shquar”, duke vlerësuar se kjo kategori nuk është e përshtatshme të përcaktohet me ligj dhe sugjeroi të ndërmerren hapa në këtë drejtim.
Ndryshimet kyçe në projektligj, siç theksoi më parë Ministria e Drejtësisë, përfshijnë: rregullim të detajuar të procedurës për shkarkimin e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Këshillit, që fillon me kërkesë të arsyetuar nga të paktën katër anëtarë të Këshillit; forcim të rolit të Këshillit në procedurën për zgjedhjen dhe shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit, përfshirë këtu edhe mundësinë për paraqitjen e iniciativës për shkarkim në Kuvend.
Gjithashtu, ligji duhet të mundësojë transparencë të shtuar në punën e Këshillit përmes publikimit të procedurës disiplinore në shkallë të dytë, me përjashtime të qarta për mbrojtjen e të dhënave personale, reputacionin e palëve dhe interesa të tjera legjitime; vendosjen e kritereve të sakta dhe të qarta për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, me të cilat garantohet profesionalizëm, përvojë dhe integritet sipas modelit të Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, si dhe rregullimin e detajuar të procedurës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit, me afate të përcaktuara dhe kritere të qarta.