• четврток, 19 март 2026

Debat mbi amendamentet e Propozim- ligjit për Prokurorinë publike

Debat mbi amendamentet e Propozim- ligjit për Prokurorinë publike

Shkup, 19 mars 2026 (MIA) - Në kuadër të Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve sot do të mbahet debat rreth amendamenteve për Propozim- ligjin për Prokurorinë publike, në lexim të dytë.

Për Propozim- ligjin për Prokurorinë publike janë dorëzuar 27 amendamente nga grupet parlamentare, ndërsa sipas paralajmërimeve do të ketë edhe amendamente të komisionit.

Kryetari i Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, Lupço Prenxhov, dje në konferencë për shtyp informoi se 13 amendamente janë paraqitur nga BDI, 10 nga LSDM dhe 4 nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Prenxhov theksoi se me Propozim- ligjin për Prokurorinë publike jemi një hap më afër arritjes së agjendës reformuese dhe Bashkimit Evropian.

Propozim- ligji parashikon modernizimin e kornizës ligjore ekzistues, futjen e një sistemi të qartë meritor për përzgjedhjen, avancimin në detyrë dhe vlerësimin e prokurorëve, si dhe forcimin e garancive për pavarësinë e tyre.

Mes risive kryesore janë sistem më efikas vlerësues, kritere të sakta për profesionalizmin, menaxhim të avancuar të çështjeve dhe procedurë disiplinore më të detajuar me afate dhe mekanizma të qartë për parandalimin e keqpërdorimit.

Ligji gjithashtu rrit standardet e transparencës në zgjedhjen e prokurorit publik, nëpërmjet seancave publike të Këshillit të prokurorëve publikë, prezantimin publik të programeve të kandidatëve dhe publikimin e biografive të tyre.

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан