• среда, 01 април 2026

Bozhinovska: T’i mbajmë inxhinierët e rinj, shteti ka nevojë për ta

Bozhinovska: T’i mbajmë inxhinierët e rinj, shteti ka nevojë për ta

Shkup, 31 mars 2026 (MIA) - Inxhinierët e rinj i duhen shtetit. Ata sot përballen me dilemën – të qëndrojnë apo të largohen. Kjo është një realitet që nuk duhet ta injorojmë. Nëse duam që ata të qëndrojnë këtu, duhet të krijojmë një mjedis në të ciëlin ata do të jenë të inkurajuar, të mbështetur dhe të motivuar për zhvillimin e ideve dhe inovacioneve të tyre; duhet t’u sigurojmë kushte dhe projekte, jo vetëm deklarativisht, me fjalë boshe, por konkretisht, në praktikë, theksuan pjesëmarrësit në ngjarjen e sotme me rastin e Ditës së inxhinierëve Maqedonisë së Veriut.

Siç u theksua, inxhinieria është një nga profesionet themelore në zhvillimin e vendit. Maqedonia do të jetë më e fortë, më moderne dhe më rezistente për aq sa do të dijë të respektojë, mbështesë dhe mbajë inxhinierët e saj.

"Mesazhi im sot është i qartë, inxhinieria në Maqedoni duhet të mbetet e fortë në dije, por edhe e hapur ndaj së ardhmes. Të ruajë rreptësinë e saj profesionale, por edhe të mirëpresë gjeneratat e reja. Maqedonia ka të rinj me njohuri, potencial dhe kapacitet për të qenë pjesë e skenës inxhinierike evropiane dhe botërore. Shteti duhet medoemos të krijojë një mjedis ku ata do të jenë të inkurajuar, të mbështetur dhe të motivuar për të zhvilluar idetë dhe inovacionet e tyre. Prandaj sot dua t’u drejtohem veçanërisht inxhinierëve të rinj. Maqedonia ka nevojë për ju. Jo si mbështetje simbolike për të ardhmen, por si forcë reale e së tashmes. Na nevojiten mendja juaj, kureshtja juaj, disiplina juaj, guximi juaj për të shtruar pyetje të reja dhe për të kërkuar zgjidhje më të avancuara", theksoi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e saj.

Inxhinieria, theksoi Bozhinovska, nuk ndërton vetëm objekte dhe sisteme, por ndërton besim në të ardhmen. Sot ajo ka rëndësi edhe më të madhe, sepse jetojmë në një kohë kur energjetika, industria, digjitalizimi, sfidat klimatike, infrastruktura dhe konkurrueshmëria nuk mund të shihen më si sektorë të ndarë.

"Sot dua sinqerisht t’ju shpreh mirënjohje për gjithçka që keni bërë, por edhe të bëj thirrje për një veprim të përbashkët edhe më të fuqishëm. Maqedonisë i nevojitet mendimi inxhinierik në institucione, në kompani, në shkencë, në zhvillimin lokal, në energjetikë, në digjitalizim dhe në çdo reformë që synon të jetë reale, e jo vetëm deklarative. Kur flasim për të ardhmen e inxhinierisë, nuk flasim vetëm për traditën që po shënojmë sot, por edhe për fazën e re në të cilën po hyn profesioni. Para inxhinierëve nuk është vetëm sfida se si inxhinieria tradicionale të ruajë themelet e saj, por njëkohësisht të zhvillohet në një botë të inteligjencës artificiale, automatizimit, të dhënave dhe mjeteve të reja digjitale. Besoj se e ardhmja u përket njerëzve që dinë se si ta vendosin teknologjinë në shërbim të interesit publik. Prandaj inxhinierët do të jenë faktorë kyç, si projektues dhe zbatues, por edhe si interpretues të kohës së re, si profesionistë që dinë ku inovacioni sjell vërtet vlerë", theksoi ministrja.

Sipas saj, Ministria e Energjetikës e sheh shumë qartë se asnjë reformë serioze nuk mund të zbatohet pa një bazë të fortë profesionale.

"Tranzicioni energjetik nuk është vetëm një vendim politik. Ai është një proces inxhinierik që kërkon planifikim, sistem, saktësi, analizë, përgjegjësi dhe dije, kërkon njerëz që dinë ta shndërrojnë konceptin në zgjidhje dhe zgjidhjen në një sistem funksional që do të punojë në mënyrë afatgjatë dhe të sigurt", theksoi Bozhinovska.

Ajo shprehu edhe respekt të veçantë për gratë në inxhinieri, kontributi i të cilave, tha, është real, thelbësor dhe i domosdoshëm.

"Ministria disa herë deri më tani ka theksuar qartë se tranzicioni i gjelbër nuk mund të arrijë potencialin e plotë nëse nuk është gjithëpërfshirës dhe nëse gratë nuk janë bartëse aktive të ndryshimeve. Dëshirojmë më shumë gra në energjetikë dhe duhet në mënyrë sistematike t’i inkurajojmë vajzat dhe gratë e reja të zgjedhin profesione teknike dhe shkencore, të krijojmë mentorim dhe mundësi të barabarta për avancim", theksoi Bozhinovska.

Edhe kryetari i Institucionit të Inxhinierëve të Maqedonisë, Andrej Lepavcov, theksoi se inxhinieria është shumë më tepër se një profesion. Në vendin tonë, tha ai, ajo gjithmonë ka pasur rol kyç – nga infrastruktura që lidh qytetet, deri tek sistemet energjetike që furnizojnë shtëpitë, nga sistemet e ujitjes,deri te inovacionet në teknologji dhe industri.

Lepavcov u ndal edhe te modernizimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore (korridoret që duhet të na lidhin më mirë me rajonin dhe Evropën), tek infrastruktura ujore, projektet energjetike dhe digjitalizimi, duke përkujtuar se këto procese kërkojnë dije, koordinim, kohë dhe durim, ndërsa pikërisht inxhinierët, tha ai, do të jenë ata që duhet të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të mençura.

"Inxhinieria është përgjegjësi dhe urë mes imagjinatës dhe realitetit. Çdo rrugë në të cilën lëvizim, çdo ndërtesë ku hyjmë, çdo sistem mbi të cilin mbështetemi – nuk janë të rastësishme. Ato janë rezultat i mendimit të kujdesshëm, llogaritjeve të sakta dhe këmbënguljes pa dorëzim deri në zgjidhjen përfundimtare. Inxhinierët në thelb janë zgjidhës problemesh. Aty ku të tjerët shohin pengesa, ata shohin sfida që presin të kuptohen; aty ku të tjerët mëdyshen, inxhinierët fillojnë të krijojnë zgjidhje. Kjo mënyrë e të menduarit është veçanërisht e rëndësishme në një botë që ndryshon më shpejt se kurrë. Çdo inxhinier këtu ka historinë e vet. Vite mësimi, net të gjata të plotësuara me zgjidhje problemesh, momente dyshimi dhe momente shpërthimi. Pas çdo suksesi qëndron një punë që shpesh mbetet e pavërejtur. Megjithatë, pavarësisht sfidave, inxhinierët vazhdojnë përpara, jo për njohje, por për rezultate, theksoi Lepavcov.

Sipas tij, inxhinierët e Maqedonisë janë në zemër të përparimit. Puna e tyre nuk është gjithmonë e dukshme, por ndikimi i saj është i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm.

"Ne nuk ndërtojmë vetëm objekte dhe nuk projektojmë vetëm sisteme. Ne ndikojmë në mënyrën se si jetojnë njerëzit. Dhe kjo është një përgjegjësi e madhe, por edhe një privilegj. Prandaj, le të vazhdojmë të punojmë me përkushtim. Të jemi të zëshëm dhe etik kur duhet, por gjithmonë të saktë – qënë fakt është tipar i profesionit tonë. Të mos frikohemi nga e reja, por edhe të respektojmë përvojën. Dhe më e rëndësishmja – të mos harrojmë pse e kemi zgjedhur këtë rrugë. Atë që do ta ndërtojmë do të flasë për ne. Në Maqedoni, inxhinierët gjithmonë kanë qenë bartës të heshtur të zhvillimit. Nuk jemi gjithmonë të zëshëm, por jemi të pranishëm në çdo hap të rëndësishëm përpara. Nisur nga zgjidhjet e vjetra infrastrukturore që funksionojnë prej dekadash, deri te teknologjitë e reja që gradualisht po gjejnë vendin e tyre tek ne. Por sot, ndoshta më shumë se kurrë, ndodhemi në një moment interesant. Para nesh hapen projekte dhe mundësi të reja. Po flitet dhe tashmë po punohet për modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore – veçanërisht të korridoreve që duhet të na lidhin më mirë me rajonin dhe Evropën. Këto nuk janë vetëm përpjekje ndërtimore – janë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi, mobilitet dhe në të ardhmen e shtetit", tha kryetari i Institucionit të Inxhinierëve.

Nga ngjarja u dërgua edhe një mesazh tek inxhinierët më me përvojë që kontribuan në ndërtimin e shtetit – se njohuria e tyre është më se e rëndësishme, se duhet ta përcjellin atë dhe t’u ndihmojnë më të rinjve, por edhe t’u lënë hapësirë të provojnë ndryshe, sepse profesioni i inxhinierit nuk është vetëm formula dhe standarde, por edhe kreativitet, intuitë dhe aftësi për të marrë vendime kur nuk ka zgjidhje të përkryer.

U shpreh respekt edhe për inxhinierët që nuk janë më gjallë, ata që vendosën themelet mbi të cilat ndërtojmë sot, si dhe për profesorët dhe edukatorët që frymëzojnë gjeneratat e ardhshme.

Në këtë ngjarje, me të cilën njëkohësisht u shënua edhe 106 vjetori i organizimit inxhinierik në Maqedoni, përveç përfaqësuesve qeveritarë, morën pjesë edhe përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe Dhoma e arkitektëve dhe inxhinierëve të licencuar. 

Foto: MIA

  

 

 

 

Остани поврзан