Bozhinovska: Me planin vjetor për vitin 2025, investime prej rreth 1,4 miliardë euro
- Ndërtime të objekteve energjetike me fuqi totale prej 1.265 megavat, parashikon plani vjetor për vitin 2025-të, që është rreth 1,4 miliardë euro investime, tha sot ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Shkup, 22 dhjetor 2025 (MIA) - Ndërtime të objekteve energjetike me fuqi totale prej 1.265 megavat, parashikon plani vjetor për vitin 2025-të, që është rreth 1,4 miliardë euro investime, tha sot ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Siç informoi Bozhinovska në brifing me gazetarët, nga këto 1.265 megavat, 15 janë hidrocentrale, 812 janë fotovoltaike, 426 janë centrale me erë dhe 11 të tjera janë për biomasë.
Në fazën përfundimtare është rishikimi i të gjitha dokumenteve.
"Për herë të parë, kemi edhe depo të integruara edhe të izoluara. Për depo të izoluara kemi 675 megavat, ndërsa të integruara janë vetëm 93", theksoi ministrja.
Sipas saj, është miratuar edhe Rregullorja për ndërtimin e objekteve energjetike dhe çdo investitor do të duhet t'i përmbahet asaj. Në rregullore është sqaruar saktësisht se çfarë duhet të paraqesë çdo investitor potencial, duke filluar me një studim fizibiliteti, pavarësisht për çfarë objekti bëhet fjalë.
Për vitin 2026, në Ministri kanë mbërritur kërkesa për ndërtimin e kapaciteteve energjetike me një total prej 10.950 megavat fuqi, nga të cilat 1.697 megavat centrale me erë, 4.758 megavat fotovoltaikë, një central elektrik me gaz 21 megavat dhe një central bashkëprodhimi me gaz. Ka gjithashtu kërkesa për 2.573 megavat depo të pavarura, si dhe 1.405 megavat depo të integruara.
"Gjithsej janë 10.950 megavat, që është shumë. Ky është një numër serioz dhe MEPSO do të duhet të bëjë një plan, përkatësisht rrjeti duhet të forcohet", theksoi Bozhinovska.
Gjithashtu shtoi se plani qeveritar duhet të miratohet deri më 31 janar 2026, dhe ndërkohë, do të vlerësohet nëse dokumentacioni i dorëzuar për objektet energjetike është në rregull.
Ministrja në brifing kumtoi se në tremujorin e parë gjithashtu do të miratohet ligji për burimet e rinovueshme të energjisë. ls/
Foto: MIA