• петок, 20 февруари 2026

Bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit do të vazhdojnë javën e ardhshme

Bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit do të vazhdojnë javën e ardhshme

Uashington, 7 shkurt 2026 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se bisedimet e mëtutjeshme ndërmjet përfaqësuesve të administratës së tij dhe Iranit do të mbahen në fillim të javës së ardhshme. 

Bisedimet me delegacionin iranian dje ishin “shumë të mira”, deklaroi Trampi për gazetarët në aeroportin “Er Fors Uan” duke shkuar drejt pushimores së tij Mar – a – Lago në Floridë. 

“Duket se Irani dëshiron shumë të lidhë marrëveshje”, tha ai. 

Trampi përsëri paralajmëroi për pasojat nëse nuk arrihet marrëveshje dhe përsëriti se Iranit nuk duhet t’i lejohet të ketë armë bërthamore. 

Me ndërmjetësim të Omanit, SHBA-ja dhe Irani dje filluan raundin e ri të bisedimeve. 

“Ishte fillim i mirë”, deklaroi më vonë ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, për televizionin shtetëror, duke e lënë të hapur nëse dhe kur do të vazhdojnë bisedimet. 

Deri në komentet e Trampit, SHBA-ja nuk dha kurrfarë deklarata zyrtare për rezultatin e takimit. 

Presidenti amerikan, gjithashtu, u kërcënua me dogana ndëshkuese kundër partnerëve tregtarë të Iranit. 

Sipas urdhrit ekzekutiv, doganat do të vendoseshin për import në SHBA nga vendet që blejnë ose importojnë mallra ose shërbime nga Republika Islamike. Trampi nuk përmendi vende specifike, por përmendi 25 për qind si shembull të një shkalle të mundshme tarifore.

Ky veprim ka rritur përsëri presionin mbi Iranin. Trampi ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen e Iranit në Teheran, duke përmendur shtypjen brutale të protestuesve gjatë protestave të fundit masive, si dhe programin e tij bërthamor kontrovers. fc/

Foto: DPA

 

Остани поврзан