• петок, 20 февруари 2026

Bi-Bi-Si: Britania po shqyrton rritjen e shpenzimeve ushtarake në tre përqind të PBB-së

Bi-Bi-Si: Britania po shqyrton rritjen e shpenzimeve ushtarake në tre përqind të PBB-së

Londër, 16 shkurt 2026 (MIA) - Kryeministri britanik Kir Starmer po shqyrton një rritje të ndjeshme të shpenzimeve ushtarake të vendit, mësoi Bi-Bi-Si, duke thënë se ndihmësit e Kryeministrit tani po shqyrtojnë propozime për të përmbushur objektivin e ndarjes së tre përqind të PBB-së për mbrojtje deri në fund të mandatit aktual parlamentar, i cili mund të zgjasë deri në vitin 2029.

Dauning strit po shqyrton idenë e përmbushjes së objektivit ekzistues të shpenzimeve të mbrojtjes më herët se sa ishte planifikuar, gjë që potencialisht do të kushtonte miliarda paund, kumtoi transmetuesi publik britanik.

Starmer sinjalizoi qëndrimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë fundjavës, duke u thënë liderëve botërorë: "Për t'u përballuar me kërcënimin më të gjerë, është e qartë se do të na duhet të shpenzojmë më shumë dhe më shpejt."

Vitin e kaluar ai premtoi se do të shpenzojë 2,5 përqind të PBB-së për mbrojtjen bazë deri në prill të vitit 2027.

Starmer ka vendosur gjithashtu një objektiv për rritjen e këtyre shpenzimeve në tre përqind të PBB-së në parlamentin e ardhshëm. Sipas Bi-Bi-Si-së, ndihmësit e kryeministrit po shqyrtojnë tani propozime për të përmbushur këtë ambicie prej tre përqind deri në fund të mandatit aktual parlamentar, i cili mund të zgjasë deri në vitin 2029.

Nuk është marrë asnjë vendim, kurse Ministria e Financave thuhet se është e kujdesshme në lidhje me propozimin.

Ideja u diskutua në një takim kyç të kryeministrit dhe këshilltarëve të tij në fillim të këtij muaji, ku ata shqyrtuan mënyrën më të mirë për të përmbushur angazhimet ekzistuese të mbrojtjes. Raportet e muajit të kaluar sugjeruan se Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe kishte nevojë për 32 miliardë euro shtesë për të mbuluar kostot ekzistuese gjatë katër viteve të ardhshme.

Britania e Madhe shpenzoi rreth 2.3 përqind të PBB-së për mbrojtje vitin e kaluar, që është rreth 75 miliardë euro. Britania e Madhe, së bashku me të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s, është zotuar gjithashtu të shpenzojë 3,5 përqind të PBB-së për mbrojtjen bazë deri në vitin 2035. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s

 

Остани поврзан