BE-ja zyrtarisht e miratoi kredinë për Ukrainën dhe vendosi sanksione të reja kundër Rusisë
- – Vendet anëtare të Bashkimit Evropian sot edhe formalisht e miratuan kredinë për Ukrainën prej 90 miliardë euro dhe pakon e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, njoftoi presidenca qipriote.
Bruksel, 23 prill 2026 (MIA) – Vendet anëtare të Bashkimit Evropian sot edhe formalisht e miratuan kredinë për Ukrainën prej 90 miliardë euro dhe pakon e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, njoftoi presidenca qipriote.
Që të dyja vendimet e BE-së deri më tani ishin bllokuar nga kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, duke e arsyetuar veton e tyre me vonesën e supozuar të Ukrainës në riparimin e tubacionit "Druzhba", i cili e furnizon Hungarinë me naftë ruse. "Druzhba" ishte dëmtuar në fund të janarit në sulm rus me dronë.
Ukraina para dy ditëve njoftoi se tubacioni "Druzhba" është riparuar, ndërsa Hungaria dhe Sllovakia sot njoftuan se përsëri po marrin naftë ruse.
Dy e treta e kredisë ose 60 miliardë, janë të dedikuara për ndihmë ushtarake, ndërsa 30 miliardë për mbështetje të buxhetit ukrainas që të sigurohet funksionim i vazhdueshëm i shtetit dhe shërbimeve themelore publike.
Ukraina duhet t’i shfrytëzojë këto mjete për blerje të armëve dhe pajisjeve të prodhuara në BE, ndërsa jashtë kësaj nëse nuk janë në dispozicion në Evropë.
Paraprakisht, presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski deklaroi se Kievi këstin e parë të kredisë do ta marrë në maj ose në fillim të qershorit.
Në pakon e sanksioneve është përfshirë ndalesë për shërbime detare për naftën ruse, e cila do të zbatohet në koordinim të plotë me G7 dhe Koalicionin për Kufizimin e Çmimeve.
Me pakon e re janë sanksionuar 60 persona fizikë dhe juridikë të cilët e mbështesin kompleksin ushtarak dhe industrial rus në agresionin kundër Ukrainës. Në listë janë shtuar 20 institucione kreditore ose financiare në të cilat zbatohet ndalesa për transaksione. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s