BE-ja ka siguruar 81 milionë euro ndihmë humanitare për RD Kongo
- Bashkimi Evropian do të sigurojë 81.2 milionë euro (96 milionë dollarë) ndihmë humanitare për njerëzit e prekur nga konflikti i vazhdueshëm në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos (RDK)
Bruksel, 17 shkurt 2026 (MIA) - Bashkimi Evropian do të sigurojë 81.2 milionë euro (96 milionë dollarë) ndihmë humanitare për njerëzit e prekur nga konflikti i vazhdueshëm në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos (RDK).
"Civilët në RDK-në lindore janë të bllokuar midis plumbave dhe urisë", tha komisarja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Haxha Lahbib, sot gjatë vizitës në rajon.
"Familjet po ikin dhe të mbijetuarit e dhunës po përpiqen të gjejnë edhe kujdesin bazë", tha ajo.
Konflikti në këtë rajon të pasur me burime ka zgjatur për më shumë se 30 vjet. Luftimet e ashpra në Kongon lindore në dhjetor zhvendosën përsëri mijëra njerëz.
"RDK po përballet me një nga krizat më të këqija humanitare në botë, të nxitura nga konflikti i armatosur i vazhdueshëm, zhvendosja masive, sëmundjet dhe varfëria e thellë", tha Komisioni.
Aktualisht, më shumë se 21 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe pothuajse 28 milionë në rajon janë të prekur nga pasiguria ushqimore, thuhet në komunikatë.
Paratë e BE-së synojnë të financojnë ndihmën ushqimore, kujdesin shëndetësor dhe përmirësimin e aksesit në ujë, kanalizime dhe strehim në Kongon lindore, si dhe të ndihmojnë refugjatët kongolezë të zhvendosur në Burundi, Ruandë dhe Tanzani.
Lahbib u bëri thirrje palëve në konflikt që t'u lejojnë agjencive humanitare akses më të mirë në rajon. mb/
Foto: DPA