BE-ja duhet të përshpejtojë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, theksojnë ekspertët
- Bashkimi Evropian duhet urgjentisht të përshpejtojë përgatitjet e tij për rreziqet në rritje që lidhen me ndryshimet klimatike, theksuan klimatologët në një raport të publikuar sot, duke paralajmëruar se përpjekjet në të gjithë bllokun duhet të koordinohen më mirë, publikoi DPA.
Kopenhagë, 17 shkurt 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian duhet urgjentisht të përshpejtojë përgatitjet e tij për rreziqet në rritje që lidhen me ndryshimet klimatike, theksuan klimatologët në një raport të publikuar sot, duke paralajmëruar se përpjekjet në të gjithë bllokun duhet të koordinohen më mirë, publikoi DPA.
"Ngjarjet ekstreme të motit dhe klimës tashmë po shkaktojnë humbje të mëdha në të gjithë Evropën", tha Otmar Edenhofer, kryetar i Bordit këshillimor shkencor evropian për ndryshimet klimatike, i cili publikoi raportin.
"Vetëm nxehtësia ekstreme ka çuar në dhjetëra mijëra vdekje të parakohshme vitet e fundit". Përveç dëmeve në ekosisteme, fatkeqësitë klimatike shkaktojnë humbje ekonomike, të cilat mesatarisht arrijnë në rreth 45 miliardë euro në vit", shtoi Edenhofer.
Këshilli konsultativ, me seli në Kopenhagen, paralajmëroi se këto rreziqe ka të ngjarë të intensifikohen. Evropa po ngrohet afërsisht dy herë më shpejt se mesatarja globale dhe efektet tashmë po ndihen në të gjitha rajonet, sipas raportit. Së bashku me përpjekjet për të kufizuar emetimet e gazrave serrë, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike është thelbësore, thekson Këshilli.
Ndër rekomandimet për të rritur qëndrueshmërinë e BE-së, Këshilli bëri thirrje për një vlerësim të detyrueshëm dhe të harmonizuar të rreziqeve klimatike në çdo politikë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Gjithashtu, rekomandon një "vizion të qartë për qëndrueshmërinë e BE-së ndaj klimës deri në vitin 2050", mobilizim më të madh të investimeve publike dhe private dhe raportim për rreziqet klimatike në të gjitha fushat e politikave. Bashkimi duhet të përgatitet për skenarë të ndryshëm në të ardhmen dhe të monitorojë dhe vlerësojë vazhdimisht masat e përshtatjes", kumtoi organi konsultativ. rq/
Foto: arkivi i MIA-s