• понеделник, 02 март 2026

Bashkohen Klinikat e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë, pritet një numër më i madh ndërhyrjesh dhe më pak pengesa administrative për pacientët

Bashkohen Klinikat e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë, pritet një numër më i madh ndërhyrjesh dhe më pak pengesa administrative për pacientët

Shkup, 1 mars 2026 (MIA) - Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria në mbledhjen e fundit të mbajtur më 24 shkurt, mori vendim për bashkimin e Klinikës së Kardiologjisë dhe Klinikës Shtetërore të Kardiokirurgjisë. Qëllimi është sigurimi i një niveli më të lartë të integrimit, koordinimit dhe efikasitetit në trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, përmes shfrytëzimit racional të burimeve ekzistuese njerëzore, hapësinore dhe teknologjike të të dy institucioneve.

Në deklaratën me shkrim të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, thuhet se me vendimin për bashkimin e dy klinikave, po formohet një qendër e vetme e nivelit terciar për mjekësinë kardiovaskulare, e cila lejon vazhdimësinë e procesit diagnostiko-terapeutik, nga parandalimi dhe diagnostikimi, deri te trajtimi intervenues dhe kirurgjikal.

"Përmes eliminimit të dyfishimeve administrative dhe optimizimit të strukturës organizative, krijojmë kushte për kursime financiare që do të riinvestohen në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe edukimin profesional të stafit", sqaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Në kumtesë shtohet se në këtë mënyrë do të mundësohet shfrytëzim më i mirë i kapaciteteve, përkatësisht rritje e numrit të ndërhyrjeve përmes integrimit të shërbimeve laboratorike, të sterilizimit dhe të sallave operative. Pacientët do të marrin kujdes të plotë kardiologjik dhe kardiokirurgjik brenda një institucioni të vetëm, pa pengesa administrative dhe pa pritur për transferim, gjë që nënkupton qasje më të madhe dhe vazhdimësi të shërbimeve shëndetësore.

"Po ashtu, bashkimi i klinikave do të kontribuojë edhe në zhvillimin e arsimit dhe kërkimit shkencor, duke krijuar një qendër të përbashkët akademike me më shumë mundësi për trajnim të specializantëve, subspecializantëve dhe për zhvillimin e programeve shkencore", theksojnë nga Ministria e Shëndetësore. sa/

Foto: MIA arkivi

Остани поврзан