Balluku mbetet deputete, për Berishën votimi është dita më e errët në historinë e Shqipërisë
- Me 82 vota kundër, shumica parlamentare e Shqipërisë vendosi ta hedh poshtë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj.
Tiranë, 12 mars 2026 (MIA) - Me 82 vota kundër, shumica parlamentare e Shqipërisë vendosi ta hedh poshtë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj.
Menjëherë pas votimit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke mbajtur pankarta ku shkruhej "dorëheqje" dhe "qeveri teknike". Shumica vazhdoi seancën, duke miratuar disa projektligje pa diskutim.
Kryeministri Edi Rama u largua nga salla e parlamentit menjëherë pas votimit. Asnjë diplomat i huaj nuk mori pjesë në seancën plenare të sotme, gjë që është hera e parë që ndodh kjo.
Një protestë u mbajt përpara parlamentit, e cila, përveç disa përpjekjeve për të çarë kordonin e policisë dhe hedhjes së fishekzjarreve, përfshiu fjalime nga përfaqësues të opozitës dhe në fund nga udhëheqësi demokrat Sali Berisha.
"Kjo është dita më e zezë në historinë e Shqipërisë. Vota e dhënë nuk ishte për Ballukun, por për shpëtimin e Ramaduros (Edi Ramës), kriminelit më të madh në Evropë, hajdutit më të madh të qytetarëve shqiptarë. Vota e sotme është një autorizim për një kryengritje të madhe të qytetarëve kundër tij. Më 22 mars, të gjithë në Tiranë do të protestojnë", tha Berisha.
Më parë, kryetari i komisionit legjislativ parlamentar, Ulsi Manja, shpjegoi vendimin e socialistëve, të marrë tre ditë më parë, për të refuzuar kërkesën e SPAK-ut.
"Pas shkarkimit të Ballukut nga detyra, tani ekziston një realitet i ri dhe SPAK mund të vazhdojë hetimet edhe pa masën e arrestit. Nuk ka prova që ajo është e përfshirë në korrupsion. Apeloj të votojmë me mençuri dhe ta lëmë politikën larg drejtësisë, që është detyrimi ynë ndaj qytetarëve që na kanë dhënë besimin e tyre", tha Manja ndër të tjera.
Më parë, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK reagoi shkurtimisht, duke u shprehur "kundër çdo iniciative që kufizon fushëveprimin e hetimit si për qytetarët e zakonshëm ashtu edhe për zyrtarët e lartë". sa/
foto: printskrin