• среда, 08 април 2026

ASh: Projekt-ligji i Karakamishevës, goditje ndaj barazisë etnike, reshtimi i VLEN-it në anën e këtij projekti është skandaloz 

ASh: Projekt-ligji i Karakamishevës, goditje ndaj barazisë etnike, reshtimi i VLEN-it në anën e këtij projekti është skandaloz 

8 prill 2026

Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë fuqishëm propozim-ligjin e hartuar nga Tanja Karakamisheva, i cili përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, theksohet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Ky nuk është aspak ligj reformues, por një projekt i mirëfilltë për çmontimin e barazisë. Heqja e kuotave etnike, mungesa e identifikimit etnik në punësim dhe avancim, si dhe mungesa e mekanizmave ndëshkues, e shndërrojnë këtë nismë në një instrument të diskriminimit të institucionalizuar.

ASH paralajmëron se ky propozim synon të rikthejë një realitet të papranueshëm për shqiptarët në këtë shtet.

Tërheqja e një profesori shqiptar nga grupi punues, duke e cilësuar procesin si të dirigjuar, është dëshmi e qartë se ky ligj nuk buron nga nevoja për reformë, por nga një agjendë e parapërcaktuar politike.

Edhe më skandaloz është fakti që VLEN-i ka zgjedhur të rreshtohet në anën e këtij projekti, duke e lavdëruar atë dhe duke u bërë bashkëpërgjegjës politik për çdo pasojë që cenon të drejtat e shqiptarëve.

Ne kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij propozim-ligji dhe hapjen e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje me parimet kushtetuese dhe standardet evropiane për përfaqësim të drejtë.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për t’i zhbërë ato.

Aleanca për Shqiptarët 

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан