Armëpushimi i dakorduar me Izraelin festohet në Liban, KB-ja bën thirrje për zgjidhje të përhershme
- – Fillimi i armëpushimit 10-ditor ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut shkaktoi festë në Liban, përderisa Kombet e Bashkuara e përshëndetën marrëveshjen dhe bënë thirrje për respektim të tij të plotë.
Bejrut/Nju Jork, 17 prill 2026 (MIA) – Fillimi i armëpushimit 10-ditor ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut shkaktoi festë në Liban, përderisa Kombet e Bashkuara e përshëndetën marrëveshjen dhe bënë thirrje për respektim të tij të plotë.
Presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se Izraeli dhe Libani u pajtuan që nga mesnata të hyjë në fuqi armëpushimi, pas përleshjeve intensive ndërmjet lëvizjes proiraniane Hezbollah dhe forcave izraelite.
Në kryeqytetin Bejrut janë regjistruar të shtëna dhe shpërthime, për të cilat mediat lokale theksojnë se janë rezultat i festimit. Banorët kanë dalë në rrugë që të festojnë, veçanërisht në periferitë jugore që ishin më të prekura me luftërat.
Në ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, e përshëndeti marrëveshjen, duke vlerësuar se mund të hapë rrugë për bisedime më të gjera paqësore.
“Shpresoj se kjo do të kontribuojë drejt zgjidhjes afatgjate dhe paqes së përhershme dhe gjithëpërfshirëse në rajon”, shkroi ai në platformën “Iks”.
Gutereshi bëri thirrje për respektim të plotë të armëpushimit dhe të ndiqen normat e të drejtës ndërkombëtare.
Marrëveshja ishte arritur pas bisedimeve ndërmjet Trampit, kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu dhe presidentit libanez Zhozef Aun, edhe pse qeveria libaneze nuk ka kontroll të drejtpërdrejt ndaj Hezbollahut. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s