• вторник, 13 јануари 2026

Arlinda Kadri Shahinoviq dhe Suzana Joshevska – Anastasovska u zgjodhën anëtare të Këshillit Gjyqësor

Arlinda Kadri Shahinoviq dhe Suzana Joshevska – Anastasovska u zgjodhën anëtare të Këshillit Gjyqësor

Shkup, 12 janar 2026 (MIA) - Profesoresha inordinare Arlinda Kadri Shahinoviq dhe avokatja Suzana Joshevska-Anastasovska sot u zgjodhën anëtare të Këshillit Gjyqësor. 

Deputetët në Kuvend në seancën e sotme votuan për dy propozimet e kryetares Gordana Siljanovska-Davkova, e cila në shpjegimin e saj theksoi se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve është udhëhequr nga profesionalizmi, kompetenca, si dhe kredibilitetit profesional dhe personal. 

Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se reformat në gjyqësor duhet të udhëhiqen nga personalitete të cilat janë të njohura në sferën e tyre të veprimit. 

Siljanovska-Davkova theksoi se dy kandidatët nuk i propozoi sepse janë gra, por kryesisht për shkak të profesionalizmit dhe kompetencës së tyre. Sipas saj, rekrutimi i njerëzve të përkushtuar ndaj drejtësisë, profesionistë dhe kompetentë në këtë fushë, do të kontribuojë në vendosjen e kritereve të njëjta edhe gjatë përzgjedhjes së gjykatësve, rritjen e përgjegjësisë së tyre, si dhe marrjen e raporteve të argumentuara nga Këshilli Gjyqësor me propozime specifike për tejkalimin e problemeve në gjyqësor, që do të nënkuptojë një hap përpara në reforma.

Gjatë seancës së sotme, deputetët në lexim të parë miratuan edhe propozim-ligjet për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për marrëveshje jashtëgjyqësore, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit e Regjistrit të sigurimit të detyrueshëm social, Ligjit për sistemin e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara, si dhe Propozim-ligjin për huamarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut me kredi nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës për financim shtesë të Projektit për ndërtimin e sallave sportive.

Në vijim është debati për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal. ls/ 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан