Arkivi shtetëror shënon 75 vjetorin e themelimit
- Arkivi shtetëror i Republikës së Maqedonisë sot shënon 75 vjetorin e themelimit.
Shkup, 1 prill 2026 (MIA) - Arkivi shtetëror i Republikës së Maqedonisë sot shënon 75 vjetorin e themelimit.
Në ceremoninë që do të mbahet në Porta Maqedonia, siç informojnë nga Arkivi Shtetëror, do të ketë fjalime dhe ndarje të mirënjohjeve për mbështetësit dhe miqtë e tij besnikë.
"Ky përvjetor është një moment për të kujtuar rëndësinë e Arkivit si mbrojtës i kujtesës kulturore dhe trashëgimisë historike, por edhe si një institucion që ndërton ura drejt së ardhmes, theksohet në kumtesën.
Drejtori i institucionit, Dimitar Bogeski, në intervistën për MIA-n informoi se me rastin e përvjetorit do të organizojnë ekspozita, promovime të librave dhe dokumenteve, me qëllim që të afirmohen dokumentet që ruhen në Arkiv, ose, siç theksoi, të afirmohet e gjithë veprimtaria shoqërore, historike dhe kulturore në Maqedoni.

"Arkivi shtetëror i Maqedonisë feston 75 vjet nga themelimi i tij në vitin 1951 me një dekret të Qeverisë së atëhershme. Ky është një moment i rëndësishëm për institucionin dhe shtetit, një mundësi për të kujtuar rrugën e zhvillimit të tij dhe brezat e njerëzve që kontribuan në zhvillimin e veprimtarisë arkivore, dokumentacionit arkivor dhe brezat që e ngritën lart këtë institucion", deklaroi Bogeski për MIA-n.
Drejtori i Arkivit, në intervistën për MIA-n, theksoi gjithashtu se ky institucion përballet me sfida, siç janë kushtet hapësinore, digjitalizimi.
"Një nga sfidat janë kryesisht kushtet hapësinore, përkatësisht krijimi i kushteve për depo të reja. Gjithashtu, sfidohemi nga metodat moderne të konservimit dhe restaurimit, gjegjësisht ruajtja e materialit arkivor, dëmtimi i tij, riparimi dhe restaurimi - kthimi i këtyre dokumenteve në pozicionin e tyre origjinal. Dhe faza e fundit e këtyre sfidave është digjitalizimi, i cili është ndoshta një nga elementët më të rëndësishëm në këto sfida, sepse në këtë mënyrë, përmes digjitalizimit të dokumenteve, përkatësisht trashëgimisë arkivore ose materialeve që përfaqësojnë trashëgimi kulturore të kategorisë së parë, ne në fakt po e mbrojmë materialin arkivor, por duke e bërë atë më të arritshëm për qëllimet shkencore-kërkimore, theksoi ai. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s