• петок, 20 февруари 2026

Aragçi: Raundi i dytë i bisedimeve me SHBA-në kishte ton më konstruktiv

Aragçi: Raundi i dytë i bisedimeve me SHBA-në kishte ton më konstruktiv

Gjenevë, 17 shkurt 2026 (MIA) - Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, deklaroi sot pas raundit të dytë të bisedimeve indirekte me SHBA-në në Gjenevë se atmosfera ishte "më konstruktive se herën e kaluar".

Ai theksoi se gjatë bisedimeve u diskutuan tema më serioze dhe se u arritën marrëveshje konkrete për çështjet kryesore.

"Pritjet tona janë që bisedimet të shkojnë drejt zgjidhjeve konkrete, megjithëse ende nuk kemi arritur një marrëveshje përfundimtare", u tha Aragçi gazetarëve në Gjenevë.

Ai vlerësoi se ky ishte një hap i rëndësishëm drejt arritjes së rezultateve të prekshme, por, siç deklaroi ai, "ekipet negociuese duhet të vazhdojnë të punojnë për çështjet kryesore dhe të sqarojnë disa detaje të tjera".

Ai deklaroi se bisedimet do të vazhdojnë, pa specifikuar një datë të saktë.

"Nuk është caktuar një kohë specifike për raundin tjetër dhe u ra dakord që të dyja palët të punojnë mbi tekstet dhe më pas do të përcaktohet data e raundit të tretë të negociatave".

Ai tha se do të duhet kohë që "të dyja palët të afrojnë qëndrimet e tyre".

Televizioni iranian "Pres TV" kishte raportuar më parë se bisedimet u përqendruan në çështjen bërthamore dhe heqjen e sanksioneve amerikane, ndërsa formati i bisedimeve ndoqi raundin e mëparshëm, të mbajtur më 6 shkurt në Muskat.

Delegacioni iranian u drejtua nga Aragçi, së bashku me zëvendësit për çështjet politike, ligjore dhe ekonomike, si dhe ekspertët teknikë dhe ligjorë. mb/

Foto: EPA

Остани поврзан