• сабота, 16 мај 2026

Aragçi: Irani do të pranojë vetëm "marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse" me SHBA-në

Aragçi: Irani do të pranojë vetëm

Pekin, 6 maj 2026 (MIA) - Irani do të pranojë vetëm "marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse" në negociatat me SHBA-në për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, deklaroi sot në Pekin ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi.

Deklarata vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Tramp pretendon se në procesin e negociatave është arritur "përparim i madh".

"Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime gjatë negociatave. Do të pranojmë vetëm një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse", deklaroi Aragçi pas takimit me homologun e tij kinez, Vang Ji. Ai nuk iu referua drejtpërdrejt propozimit të Trampit për një pauzë të operacionit amerikan të shoqërimit të anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit, me qëllim lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje mes dy palëve.

Kjo është vizita e parë e Aragçit në Kinë që nga fillimi i luftës, e cila ka shkaktuar disa nga tronditjet më të mëdha në tregjet e naftës në histori dhe ka vënë në pikëpyetje sigurinë energjetike të Kinës, si importuesi më i madh i naftës në botë. Gjatë takimit, Aragçi theksoi se Kina është një mik i afërt i Iranit dhe se bashkëpunimi dypalësh do të forcohet edhe më tej.

Më herët këtë javë, ministri amerikan i Financave, Skot Besent, i bëri thirrje Kinës të rrisë përpjekjet diplomatike për ta bindur Iranin që të hapë Ngushticën e Hormuzit për lundrim ndërkombëtar. Ai shtoi se Trampi dhe presidenti kinez Si Xhinping do të shkëmbejnë mendime për Iranin në takimin e planifikuar për 14 dhe 15 maj në Pekin.

Besent i bëri thirrje Kinës t’i bashkohet Uashingtonit në operacionin ndërkombëtar për hapjen e ngushticës. Gjithashtu, ai vlerësoi se Kina dhe Rusia duhet të ndalojnë bllokimin e iniciativave në Kombet e Bashkuara, përfshirë rezolutën për mbrojtjen e transportit detar tregtar në Ngushticën e Hormuzit. qa/

Foto: arkivi

 

Остани поврзан