ANEB: Çdo marrëveshje me Iranin duhet të ketë kontroll të rreptë mbi aktivitetet bërthamore
- Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore (ANEB), Rafael Grosi, deklaroi sot se çdo marrëveshje e mundshme midis SHBA-së dhe Iranit për ndërprerjen e konfliktit duhet të përfshijë masa "shumë të detajuara" dhe të rrepta për të verifikuar programin bërthamor të Iranit.
Seul, 15 prill 2026 (MIA) - Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore (ANEB), Rafael Grosi, deklaroi sot se çdo marrëveshje e mundshme midis SHBA-së dhe Iranit për ndërprerjen e konfliktit duhet të përfshijë masa "shumë të detajuara" dhe të rrepta për të verifikuar programin bërthamor të Iranit.
Grosi në Seul deklaroi se çdo marrëveshje potenciale midis SHBA-së dhe Iranit për t'i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme kërkon një sistem të fortë dhe të detajuar kontrolli mbi aktivitetet bërthamore të Iranit.
Ai theksoi se prania e inspektorëve të ANEB dhe mekanizmat e saktë të verifikimit do të ishin kushtet kryesore, duke paralajmëruar se pa to "nuk do të ketë marrëveshje, por vetëm iluzion për marrëveshje".
Grosi tha se Irani ka një "program bërthamor shumë ambicioz dhe të gjerë" dhe se të gjitha aktivitetet e saj duhet të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Sipas tij, situata aktuale dhe negociatat midis SHBA-së dhe Iranit mbeten të pasigurta.
Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi më parë se një raund i ri bisedimesh mund të mbahet së shpejti, ndërsa Uashingtoni këmbëngul se parandalimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore është një qëllim kyç.
Nga ana tjetër, Irani thotë se programi i tij bërthamor është ekskluzivisht paqësor, por hedh poshtë çdo kufizim të imponuar nga jashtë.
ANEB në raportet e saja të mëparshme ka thënë se Irani ka rezerva të konsiderueshme të uraniumit të pasuruar në pastërti 60 për qind, që teknikisht është afër nivelit të nevojshëm për armët bërthamore dhe se nuk ka pasur qasje të plotë në inspektime në zona të caktuara.
Agjencia ka paralajmëruar se nëse Irani vendos të vazhdojë në këtë drejtim, ekziston potenciali për të ndërtuar më shumë koka bërthamore.
Grosi ka arrit në konkluzion se materiali i pasuruar bërthamor do të duhet të jetë nën kontroll të rregullt dhe të rreptë ndërkombëtar, në pajtueshmëri me standardet e ANEB-it.
Foto: arkivi