Andonovski në Dialogun global në Budapest 2026: Bashkëpunimi strategjik është çelësi për ndërtimin e sistemeve rezistente në botën digjitale
- Bashkëpunimi strategjik mes shteteve dhe partnerëve është thelbësor për ndërtimin e institucioneve rezistente, demokracive të qëndrueshme dhe infrastrukturës digjitale të sigurt në kushte të sfidave të rritura globale, theksoi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, si një nga folësit kryesor të Dialogut Global në Budapest 2026 (Budapest Global Dialogue 2026).
Shkup, 10 shkurt 2026 (MIA) - Bashkëpunimi strategjik mes shteteve dhe partnerëve është thelbësor për ndërtimin e institucioneve rezistente, demokracive të qëndrueshme dhe infrastrukturës digjitale të sigurt në kushte të sfidave të rritura globale, theksoi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, si një nga folësit kryesor të Dialogut Global në Budapest 2026 (Budapest Global Dialogue 2026).
Ngjarja, siç njoftoi Ministria për Transformim Digjital, filloi me fjalë hyrëse të ministrit të punëve të jashtme dhe tregtisë të Republikës së Hungarisë, Peter Sijarto, pastaj vijuan panel diskutime në nivel të lartë kushtuar sigurisë globale, ndryshimeve gjeopolitike dhe transformimit digjital.
Në fjalimin e tij, ministri Andonovski theksoi se bota gjendet në një periudhë të ndryshimeve të thella dhe komplekse.
"Sot po përballemi me një rend ndërkombëtar i cili është nën presion të disa fronteve, ushtarake, financiare dhe demografike. Multipolariteti më nuk është temë diskutimi, por një realitet me të cilin duhet të menaxhojmë me përgjegjësi", theksoi Andonovski.
Ai paralajmëroi se sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike nuk janë kërcënim virtual, por një rrezik real me pasoja të drejtpërdrejta ndaj shteteve dhe përditshmërisë së qytetarëve.

"Kur spitalet, rrjetet energjetike, sistemet e furnizimit me ujë ose infrastruktura financiare janë objektiv i sulmeve kibernetike, pasojat janë thellësisht reale - jetë të trazuara, institucione të dobëta dhe rrezik i rritur nga përshkallëzimi", porositi ministri.
Andonovski i theksoi edhe rreziqet e dezinformatave dhe varësive teknologjike.
Nga perspektiva e vendit tonë, si anëtare e NATO-s dhe një vend me një orientim të qartë euroatlantik, ministri theksoi se qëndrueshmëria e vendeve është themeli i çdo partneriteti të suksesshëm.
"Ne jemi një vend i vogël, por ndodhemi në kryqëzimin e rajoneve, tregjeve dhe interesave strategjike. E dimë që aleancat janë thelbësore, por gjithashtu e dimë se forca e çdo aleance varet nga qëndrueshmëria e secilit prej anëtarëve të saj", theksoi Andonovski.
Ai theksoi se siguria kibernetike duhet të trajtohet si siguri kombëtare, ndërsa jo si formalitet teknik.
"Siguria kibernetike nuk guxon të shtohet në fund të projekteve. Ajo duhet të vendoset në mënyrën se si funksionojnë qeveritë, si sigurohet infrastruktura, si ofrohen shërbimet publike dhe si menaxhohen krizat", theksoi Andonovski.
Në pjesën e dytë të fjalimit, ministri Andonovski u kthye në vlerën e transformimit digjital për përforcimin e besimit publik.
"Transformimi digjital duhet ta bëjë shtetin më transparent, më të qasshëm dhe më përgjegjës. Kur qytetarët marrin shërbime efikase, ndërsa bizneset punojnë në një mjedis të parashikueshëm dhe të sigurt atëherë forcohet marrëveshja shoqërore mes shtetit dhe qytetarëve", tha Andonovski.
Sipas tij, bashkëpunimi strategjik duhet të jetë konkret dhe operativ. sa/
Foto: Ministria për Transformim Digjital