Andonovski- Godliauskas: Ndërtimi i qëndrueshmërisë në hapësirën kibernetike është çështje bashkëpunimi dhe koordinimi
- Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, shkëmbimi i përvojave dhe ndërtimi i kapaciteteve institucionale më elastike për t'u përballur me kërcënimet moderne digjitale kanë qenë në fokus të takimit midis Ministrit të Transformimit Digjital, Stefan Andonovski dhe zëvendësministrit të Mbrojtjes të Republikës së Lituanisë, Tomas Godliauskas në kuadër të ditës së dytë të vizitës së punës në Vilnius, Republika e Lituanisë.
Shkup, 19 maj 2026 (MIA) - Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, shkëmbimi i përvojave dhe ndërtimi i kapaciteteve institucionale më elastike për t'u përballur me kërcënimet moderne digjitale kanë qenë në fokus të takimit midis Ministrit të Transformimit Digjital, Stefan Andonovski dhe zëvendësministrit të Mbrojtjes të Republikës së Lituanisë, Tomas Godliauskas në kuadër të ditës së dytë të vizitës së punës në Vilnius, Republika e Lituanisë.
Siç kumtojnë nga Ministria e Transformimit Digjital, në takim ministri Andonovski theksoi se siguria kibernetike është një nga parakushtet kryesore për transformim të suksesshëm digjital, besimit në shërbimet digjitale dhe mbrojtjen e institucioneve dhe qytetarëve.

"Ndërtimi i qëndrueshmërisë në hapësirën kibernetike është çështje bashkëpunimi dhe koordinimi. Kërcënimet e sotme digjitale nuk njohin kufij, prandaj përgjigja duhet të jetë e përbashkët, e organizuar dhe e bazuar në besim midis institucioneve dhe partnerëve. Është veçanërisht e rëndësishme që Maqedonia të mësojë nga vendet si Lituania, të cilat me sukses lidhin kapacitetet mbrojtëse, civile dhe teknologjike në një sistem të vetëm mbrojtjeje", theksoi Andonovski.
Nga ministria shtojnë se në takim u theksua se bashkëpunimi midis dy vendeve është i rëndësishëm jo vetëm në kuadër të aleancës së NATO-s, por edhe si një partneritet i bazuar në miqësi, besim dhe vlera të përbashkëta.
"Zëvendësministri Godliauskas theksoi se Lituania nuk e sheh Maqedoninë vetëm si një aleate të NATO-s, por edhe si një vend mik me të cilin ka hapësirë për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët", thonë ata.
Foto: MTD