Aliu: Zgjerohen kapacitetet e repartit të psikofiziologjisë në Klinikën e Fëmijëve në “Majçin Dom"
- Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Klinikën “Majçin Dom”, me rastin e zgjerimit të kapaciteteve hapësinore të repartit të psikofiziologjisë.
Shkup, 31 mars 2026 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Klinikën “Majçin Dom”, me rastin e zgjerimit të kapaciteteve hapësinore të repartit të psikofiziologjisë.
"Zgjerimi mundëson organizim më efikas të aktiviteteve diagnostikuese dhe terapeutike si dhe sigurimin e mbështetjes profesionale në fushën e zhvillimit të fëmijëve. Hapësirat e reja krijojnë një mjedis funksional, si për ekipin profesional ashtu edhe për pacientët me vështirësi zhvillimore dhe familjet e tyre. Ky është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor, me fokus të veçantë në zbulimin e hershëm, ndërhyrjen në kohë dhe kujdesin gjithëpërfshirës për fëmijët me vonesa në zhvillimin psikomotor dhe autizëm", theksoi ministri Aliu.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se realizimi i këtij zgjerimi është mundësuar falë bashkëpunimit me disa kompani dhe individë shoqërisht të përgjegjshëm që e mbështetën këtë iniciativë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Klinika e Sëmundjeve të Fëmijëve mbeten të përkushtuara për përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe sigurimin e cilësisë së lartë të kujdesit shëndetësor për pacientët më të vegjël. qa/
Foto: Ministria e Shëndetësisë