Aliu për MIA-n: Projektligji për mbrojtje nga duhani nuk është kufizues, është evropian
- Projektligji për mbrojtje nga duhani, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 mars, nuk është kufizues, ai është evropian. Bëhet fjalë për vendosjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e shëndetit, deklaroi për MIA-n ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
Shkup, 12 janar 2026 (MIA) - Projektligji për mbrojtje nga duhani, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 mars, nuk është kufizues, ai është evropian. Bëhet fjalë për vendosjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e shëndetit, deklaroi për MIA-n ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
Për momentin, theksoi, Ministria e Shëndetësisë po rregullon mbrojtjen gjithëpërfshirëse të popullatës nga efektet e dëmshme të përdorimit të duhanit dhe produkteve tjera të nikotinës, si dhe ekspozimi i tymit të duhanit në mjedisin jetësor.
"Ky është një moment i rëndësishëm për ne që të mund të rregullohet. Gjithashtu, Projektligji është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe qëllimi i ligjit është të promovojë shëndetin publik. Është në përputhje me politikat globale të shëndetit publik që kemi nënshkruar si shtet dhe në kuadër të konventës për kontrollin e duhanit që u nënshkrua. Ligji nuk është kufizues dhe është evropian. Standardet evropiane të mbrojtjes së shëndetit janë vendosur në këtë ligj. Sipas të dhënave që morëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi 45 përqind e popullsisë së rritur pi duhan, gjë që e vendos vendin tonë ndër vendet me shkallën më të lartë në Evropë sipas mënyrës së përdorimit të cigareve ose ndonjë lloj produkti të duhanit", tha Aliu.
Ai sqaroi se është shumë e rëndësishme të përmendet se përveç ndalesës për duhan në institucionet publike, në hapësirë publike, ligji parashikon edhe ndalesë për promovimin e llojit të tillë të produkteve të cilat kohëve të fundit po promovohen se janë moderne...
"Analiza është bërë për hapësirën digjitale dhe ç'farë lloj qasjesh përdorin kompanitë të cilat prodhojnë lloj të tillë të produkteve. Gjithashtu, ligji parashikon kufizime në hapësirën digjitale që të mos mund të promovohen produkte të tilla të dëmshme për popullatën tonë", theksoi Aliu.
Në pyetjen nëse ligje të tilla të ngjashme zbatohen në vendet e rajonit, tha se definitivisht zbatohen edhe në Evropë dhe në disa vende të rajonit.
Sipas Aliut, qëllimi është që popullata të largohet nga pirja e duhanit dhe rregullat janë definuar qartë në të gjitha vendet evropiane.
"Pra rregullat e njejta janë analizuar dhe janë standarde në propozim-ligjin tonë. Ligji nuk duhet të shihet si kufizues, por si ligj evropian. Sipas analizave të bëra, të rinjtë përdorin ndonjë lloj produkti të duhanit. Sipas hulumtimeve globale për përdorimin e duhanit tek të rinjtë (Global Youth Tobacco Survey-GYTS) në vitin 2024, gjithsej 13,6 për qind e nxënësve të moshës nga 13 deri në 15 vjet aktualisht përdorin ndonjë lloj produkti të duhanit. Kjo është përqindja më e lartë e evidentuar e të rinjve në vend", tha Aliu.
Ai beson se miratimi i ligjit për mbrojtje nga duhani do të kontribuojë në uljen e numrit të duhanpirësve në vend dhe për uljen e shpenzimeve për trajtim të të sëmurëve të shkaktuara nga duhani.
"Prandaj paralelisht me këtë ligj e bëjmë gjithë programin për edukim dhe informata rreth dëmeve dhe sëmundjeve që lidhen me duhanin. Dhe gjithë viti 2026 do të jetë i lidhur me zbatimin e ligjit, edukimin dhe informimin, veçanërisht për të rinjtë në vendin tonë", shtoi Aliu për MIA-n. sa/
Foto: MIA