Aliu: Barnat për pacientët me sëmundje të rralla do të sigurohen, po bëjmë furnizim për tre vjet
- Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu sot tha se do të sigurohen barna për pacientët me sëmundje të rralla dhe se këtë vit për herë të parë do të bëhet furnizimi i barnave për këto pacientë për tre vjet, ndryshe prej tani kur janë furnizuar vetëm për një vit.
Shkup, 18 shkurt 2026 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu sot tha se do të sigurohen barna për pacientët me sëmundje të rralla dhe se këtë vit për herë të parë do të bëhet furnizimi i barnave për këto pacientë për tre vjet, ndryshe prej tani kur janë furnizuar vetëm për një vit.
"Qeveria nga ky vit do të sigurojë furnizim trevjeçar dhe ndoshta duket se ky buxhet është ulur sepse metodologjia ishte më ndryshe, por ju garantoj se asnjë qytetar dhe asnjë fëmijë nuk do të mbetet pa barnat e nevojshme dhe pa trajtim mjekësor sepse ky është obligimi ynë si Ministri e Shëndetësisë, dhe si Qeveri dhe jemi të vetëdijshëm se këto qytetarë duhet të shërohen nga vetë fëmijëria", tha ministri Aliu duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes Bisera Kostadinovska lidhur me uljen e mjeteve për sëmundje të rralla.
Ministri i Shëndetësisë tha se është rritur buxheti për transferimin e njohurive tek mjekët për pacientët me sëmundje të rralla. "Ne zhvillojmë takime me ekspertë të jashtëm, të cilët punojnë me mjekët tanë, në mënyrë që të kemi metoda dhe trajtime të reja për këta pacientë, jo vetëm për sa i përket ilaçeve, por edhe për trajtime të tjera që janë një ekosistem për shëndetin e këtyre fëmijëve", tha Aliu në seancën e pyetjeve të deputetëve.
Ai shtoi se ka standardizim të procedurave dhe çdo mjek që do të trajtojë pacientë me sëmundje të rralla duhet të ketë protokoll të rreptë dhe softuer që do ta monitorojë pacientin. sa/
Foto: Printskrin