Aleanca për Shqiptarët: Refuzimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është diskriminim institucional
- Sot, në Maqedoninë e Veriut, studentët shqiptarë po përballen me diskriminim të hapur, ndërsa gjuha shqipe po përjashtohet nga sistemi i drejtësisë. Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e 385 studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, duke vendosur që ai të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, theksohet në kumtesën e ASH-së të cilën MIA e publikon në formë integrale.
Shkup, 5 shkurt 2026
Sot, në Maqedoninë e Veriut, studentët shqiptarë po përballen me diskriminim të hapur, ndërsa gjuha shqipe po përjashtohet nga sistemi i drejtësisë. Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e 385 studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, duke vendosur që ai të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, theksohet në kumtesën e ASH-së të cilën MIA e publikon në formë integrale.
Ky vendim përbën një akt të qartë diskriminues ndaj studentëve shqiptarë dhe dëshmon mungesën e vullnetit politik për barazi reale. Shtrohet pyetja: kush frikësohet nga gjuha shqipe dhe pse? A është frika nga barazia, nga pjesëmarrja e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë, apo nga fuqia e gjuhës amtare për të garantuar drejtësi dhe dinjitet?
Nisma e studentit Mevlan Ademi po mbështetet fuqishëm nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët: Sadik Sulejmani, Halil Snopçe dhe Rijad Shaqiri. Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, pa cenuar aspak njohjen dhe përdorimin e gjuhës maqedonase.
Refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë dërgon një mesazh të rrezikshëm: mohimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht një vendim administrativ, por një alarm serioz për drejtësinë, barazinë dhe frymën demokratike në vend.
Studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë të drejtat që u takojnë: respekt, trajtim të barabartë dhe dinjitet. Këto nuk janë kërkesa për t’u negociuar, por të drejta që duhet të garantohen.