“Aksios”: Pentagoni përgatit sulmin e fundit në luftën kundër Iranit
- Pentagoni po zhvillon opsione ushtarake për një "sulm përfundimtar" ndaj Iranit i cili mund të përfshijë përdorimin e forcave tokësore dhe sulme masive ajrore, deklaruan dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të njohura me planet.
Uashington, 26 mars 2026 (MIA) - Pentagoni po zhvillon opsione ushtarake për një "sulm përfundimtar" ndaj Iranit i cili mund të përfshijë përdorimin e forcave tokësore dhe sulme masive ajrore, deklaruan dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të njohura me planet.
Sipas portalit amerikan "Aksios", një përshkallëzim drastik ushtarak bëhet më i mundshëm nëse negociatat diplomatike nuk japin rezultate, veçanërisht nëse bllokada e Ngushticës së Hormuzit vazhdon.
Disa zyrtarë amerikanë besojnë se një sulm vendimtar në fund të konfliktit do të rriste fuqinë negociuese në bisedimet paqësore ose do t'i jepte presidentit amerikan Donald Tramp një rezultat simbolik që ai mund të shpallte fitoren.
Në intervistën për "Aksios", funksionarë dhe burimet e njohura me diskutimet e brendshme përshkruan katër opsione kryesore për "sulmin përfundimtar" që Trampi mund të zgjidhte.
Këto përfshijnë një invazion ose bllokadë të Ishullit Harg, qendrës kryesore të eksportit të naftës së Iranit, invazion të ishullit Larak i cili e ndihmon Iranit të konsolidojë kontrollin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit, konfiskimin e ishullit strategjik të Abu Musës dhe dy ishujve më të vegjël të cilët ndodhen pranë hyrjes perëndimore të Ngushticës së Hormuzit dhe janë nën kontrollin iranian, por janë objekt mosmarrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe ose bllokadën dhe konfiskimin e anijeve që eksportojnë naftë iraniane në anën lindore të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas portalit, ushtria amerikane ka hartuar gjithashtu plane për operacione tokësore thellë brenda Iranit për të siguruar uranium të pasuruar nga objektet bërthamore.
Në vend të një operacioni të ndërlikuar dhe të rrezikshëm, SHBA mund të kryejë sulme ajrore në shkallë të gjerë për të parandaluar Iranin në qasjen deri te materiali, deklaroi "Aksios".
Trampi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për zbatimin e ndonjërit prej këtyre skenarëve, ndërsa përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë i përshkruajnë operacionet e mundshme tokësore si "hipotetike", shkruan portali.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit e paralajmëroi Iranin se Trampi është i gatshëm të godasë "më fort se kurrë" nëse nuk arrihej marrëveshje.
"Presidenti (Tramp) nuk po bën blof dhe është i gatshëm të nisë një sulm të plotë. Irani nuk duhet ta gjykojë gabim situatën... çdo dhunë në këtë kohë do të jetë për shkak të refuzimit të regjimit iranian për të bërë marrëveshje", tha Levit.
Irani e hodhi poshtë listën fillestare të kërkesave të SHBA-së, por nuk i përjashtoi plotësisht negociatat.
"Problemi është mosbesimi. Komandantët e IRGC-së janë shumë skeptikë, por ndërmjetësit nuk janë dorëzuar", tha burimi.
Foto: arkivi i MIA-s