• e premte, 28 qershor 2024

Zelenski paralajmëroi pako të re të ndihmave nga Polonia

Zelenski paralajmëroi pako të re të ndihmave nga Polonia

Kiev, 23 janar 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenksi paralajmëroi se vendi i tij do të marrë rezerva të reja të armëve nga Polonia me qëllim që ta fuqizojë mbrojtjen nga pushtimi i plotë rus, informon DPA.

"Do të ketë pako të re për furnizim me armë nga Polonia, tha shefi i shtetit gjatë video paraqitjes së tij tradicionale mbrëmë para popullit. Në takimin e tij të djeshëm me Tuskun në Kiev, të dy kanë biseduar edhe për prodhimtarinë e ardhshme të përbashkët të armëve dhe municionit. Tema e tretë e bisedimeve të cilën e përmendi Zelenski ishte trajnimi i ushtarëve ukrainas në sistemin e armatosur polak. 

Presidenti ukrainas nuk zbuloi hollësi për orarin e dërgesës së armës, si dhe për përmbajtjen e pakos së ndihmave. Varshava konsiderohet si një nga aleatët më të afërt dhe më të rëndësishëm të Kievit. Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë para gati dy viteve, Polonia e furnizon Ukrainën me tanke luftarake, duke përfshirë edhe Leopard, dhe aeroplanë ushtarakë MiG.

Në video porosinë e tij, Zelenski e falënderoi Tuskun për mbështetjen e tij ushtarake dhe politike, si dhe për përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit me kamionistët polakë dhe bllokadën e tyre në kufirin me Ukrainën. 

Zelenski tha se qeveria ukrainase gjithashu po bën përpjekje që t'i zgjidhë kontestet ekonomike me kompanitë në vend. Ai theksoi se qëllimi është fuqizimi i shtetit, shoqërisë dhe ekonomisë, duke shtuar se korrupsioni mbetet problemi kryesor për Ukrainën. Si kthim, Tusku theksoi se edhe krahas problemeve të brendshme politike të cilat i përjeton edhe Polonia, vendi i tij fuqishëm qëndron pas Ukrainës. 

"Polonia do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që t'i rrisë mundësitë për fitore të Ukrainës në front", tha kryeministri polak. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR