• e premte, 28 qershor 2024

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti në koordinim me ministrat e koalicionit “VLEN”

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti në koordinim me ministrat e koalicionit “VLEN”

Shkup, 28 qershor 2024 (MIA)- Për të siguruar një shkallë të lartë efikasiteti në zbatimin e zotimeve programore, zëvendëskryeministri i parë i qeverisë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka mbajtur koordinim të rregullt ​me​ministrat e Shëndetësisë, Çështjeve evropiane, Ekonomisë, Qeverisjes së mirë, si dhe atë të Punës, Demografisë dhe Rinisë të cilët u zgjodhën me propozimin e koalicionit VLEN. 

“Ky lloj koordinimi do të shtrihet edhe me zëvendësministrat dhe me kuadrin tjetër të zgjedhur dhe të emëruar të VLEN-it në pushtetin ekzekutiv. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e premtimeve parazgjedhore dhe zbatimin e politikave që do të zgjidhin problemet e qytetarëve, do të rrisin standardet e jetesës dhe do të sigurojnë një të ardhme të sigurt”, theksohet në komunikatën e dërguar të Lëvizjes Besa.

Jemi të fokusuar, siç thuhet në dinamizimin e perspektivave të BE-së, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe decentralizimin e pushtetit tek komunat si shërbimi i parë i drejtpërdrejtë për qytetarët. 

“Ne kemi një plan dhe vizion për të dhënë rezultate brenda afateve të përcaktuara saktësisht. Së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe deputetët e koalicionit qeverisës do të propozojmë dhe miratojmë zgjidhje të duhura ligjore”, thuhet në komunikatë.

QËNDRONI TË LIDHUR