• e enjte, 01 gusht 2024

Xhejms O Brajan: SHBA do të jetë shumë më aktive në dialogun midis Shkupit dhe Sofjes sapo Bullgaria të ketë një qeveri të qëndrueshme

Xhejms O Brajan:  SHBA do të jetë shumë më aktive në dialogun midis Shkupit dhe Sofjes sapo Bullgaria të ketë një qeveri të qëndrueshme

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - SHBA pritet të jetë shumë aktive në bisedimet për mënyrën e saktë të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, sapo Bullgaria të ketë një qeveri më stabile, njoftoi ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike, Xhejms O'Brajan.

O'Brajan, siç raporton Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, në një seancë dëgjimore për të ardhmen e Evropës në Komisionin për Punë të Jashtme të Senatit, tha se Maqedonia e Veriut vuan për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj, që është një nga problemet e anëtarësimit në BE dhe ndikon vazhdimisht në ndryshimin e kushteve.

Ai u pyet nga senatorja demokrate nga Nju Hempshir, Xhin Shahin, se çfarë mund të bëjë më shumë SHBA për të inkurajuar evropianët që të përmbushin premtimet e tyre ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor që kanë bërë reformat e kërkuara, pa ndryshuar rregullat ose kushtet për lëvizjen e tyre në BE siç është rasti me Maqedoninë e Veriut.

"Çështja kryesore është marrëveshja që Maqedonia e Veriut ka me Bullgarinë dhe sapo Bullgaria të ketë një qeveri më të qëndrueshme, do të duhet të bisedohet për mënyrën e saktë të zbatimit të saj. Pra, kjo do të jetë një fushë ku unë pres që ne të jemi gjithashtu shumë aktivë", u përgjigj O'Brajan.

Bullgaria thotë se nuk ka ndërmend të vendosë kushte të reja në rrugën drejt BE-së, por se nuk do të lejojë devijime nga marrëveshjet e arritura, e para prej të cilave është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë.

Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, tha se nuk do të negociojë me diktat dhe ultimatume dhe se Bullgaria duhet të respektojë të drejtat e komunitetit maqedonas, për shkeljen e të cilave ka 14 aktgjykime nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

SHBA po punon për të ruajtur marrëveshjen me Greqinë, tha O'Brajan.

"Një pjesë e punës sonë diplomatike është të përgatisim një mënyrë për të ruajtur marrëveshjen që ka me Greqinë dhe mendoj se takimi juaj dhe të tjerët ndihmuan që Greqia të bëhej mike në rrugën e Maqedonisë së Veriut përpara, në vend të kritikës. E njëjta gjë edhe me Shqipërinë", tha O'Brajan.

Mickoski dhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova thanë se emrin kushtetues të shtetit do ta përdorin në kontekst zyrtar, por emrin Maqedoni do ta përdorin në deklarata dhe si akt të së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim.

Kryeministri grek Kirjakos Micotakis, gjatë Samitit të NATO-s në Uashington në fillim të këtij muaji, tha se një nga aspektet më të rëndësishme të Marrëveshjes së Prespës është që emri Maqedonia e Veriut të përdoret erga omnes, që do të thotë brenda dhe jashtë vendit. Ai tha se në këtë moment Greqia "nuk do të zbulojë armët që ka në dispozicion për t'iu përgjigjur taktikave të udhëheqjes së vendit fqinj".

Ambasadorja amerikane në Shkup, Anxhela Ageler, tha se marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë nuk do të rinegociohen.

"Ato marrëveshje janë bërë. Asnjë rinegocim i Prespës, asnjë rinegocim i progresit drejt BE-së. Kjo është shumë e qartë", tha ambasadorja Ageler në një intervistë për Radion Evropa e Lirë muajin e kaluar. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR