• e diel, 22 dhjetor 2024

Xhaferi: Me ndryshimet në kodin zgjedhor nuk do të zgjidhet plotësisht problemi me vlefshmërinë e dokumenteve në procesin zgjedhor

Xhaferi: Me ndryshimet në kodin zgjedhor nuk do të zgjidhet plotësisht problemi me vlefshmërinë e dokumenteve në procesin zgjedhor

Shkup, 8 mars 2024 (MIA) - Kryeministri teknik Talat Xhaferi beson se me ndryshimet e Kodit zgjedhor nuk do të zgjidhet plotësisht problemi me validitetin e dokumenteve të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe thekson se duhet të mundësohet që qytetarët të votojnë me dokumente të vjetra pa afat.

"Nuk jam i bindur se problemi me dokumentet e udhëtimit do të zgjidhet në funksion të dispozitave të rregulluara dhe të sanksionuara nga vetë ligji, ai parashikon që të gjithë qytetarët që kanë dokumente me afat të skaduar brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve do të mund të votojnë. Ato që janë më të vjetër nuk do të munden, ndaj zgjidhja është e pjesshme, jo e plotë. Nëse kemi dokumente me afat prej nëntë muajsh deri më 24 prill, do të votojmë, por më 8 maj çfarë do bëjmë. Duke dashur të bëjmë një përjashtim, bëjmë një tjetër përjashtim që përjashton një pjesë të qytetarëve", theksoi sot Xhaferi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën për media pas inspektimit të ndërtimit të autostradës Rankovcë – Kriva Pallankë, ai tha se qytetarët duhet të votojnë me dokumente të vjetra, pavarësisht se në çfarë afati kanë skaduar.

"Vendimi të jetë i hapur për qytetarët që kanë dokumente të skaduara të mund të votojnë këtë vit pa marrë parasysh afatin që u ka kaluar", nuk mendoj se zgjidhja është e plotë, jam i bindur se do të vijnë sërish në Qeveri për zgjidhje shtesë. Kuvendi do të duhet të mendojë ose ne në Qeveri do ta korrigjojmë këtë problem", nënvizoi ai.

Dje pa debat u votua ligji për ndryshime dhe plotësime të Kodit Zgjedhor, me procedurë të shkurtuar, qëllimi i së cilës, siç arsyetoi paraprakisht deputeti Martin Kostovski, është të saktësohet korniza juridike e përhershme dhe të përshtaten dispozitat nga zgjidhja ligjore e përhershme në drejtim të procesit zgjedhor gjithëpërfshirës për të gjtihë pjesëmarrësit në zgjedhje.

Ndër të tjera, ai përmirëson dispozitat në lidhje me regjistrimin e votuesve për të siguruar që të gjithë votuesit me të drejtë vote të regjistrohen në listat zgjedhore, duke hequr kufizimet në bazë të dokumenteve të skaduara për identifikim, si dhe duke sqaruar procedurat për përfshirjen në listat zgjedhore për personat të cilët  do të mbushin 18 vjet mes dy raundeve zgjedhore.

Dispozita kalimtare e ligjit rregullon të drejtën e votuesve që të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në afatin prej nëntë muajsh deri në ditën e zgjedhjeve. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR