• e premte, 12 korrik 2024

"VLEN" do të ketë shtatë zëvendësministra, Elfete Ismaili në Mbrojtje, ndërsa Flakron Bexheti në Bujqësi

Shkup, 12 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë dhe pjesë e koalicionit "Vlen", Arben Taravari sot ka informuar se koalicioni i tyre në Qeveri do të përfaqësohet nga shtatë zëvendësministra. Ai kumtoi vetëm emrat e dy zëvendësministrave që janë nga Aleanca për Shqiptarët, për të cilët tha se veçmë kanë kaluar në kryesinë qendrore të partisë. 

"Për "Vlen" e di se janë shtatë zëvendësministra. Aleancës për Shqiptarët i takojnë zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Ministria e Mbrojtjes. Në partitë tjera të koalicionit tonë i takon Ministria e Transportit dhe Lidhjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Zëvendësministre në Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë Elfete Ismaili, ndërsa zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Flakron Bexheti", deklaroi Taravari pas takimit me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë profesor dr. Svetozar Antoviq.

Më herët, dhe tre partitë e tjera të koalicionit "Vlen" kumtuan emrat e kandidatëve të propozuar për zëvendësministra. Lëvizja "Besa" propozon Sedat Sulejmanin për zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. "Alternativa" merr postin e zëvendësministrit në Ministrinë e re të sportit, ku si propozim është ish deputetja Safie Sadiki Shaini, ndërsa si zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës profesor dr. Lulzim Aliu. Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit ka dy zëvendësministra dhe atë në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku është propozuar Muamet Ameti dhe në Ministrinë për Transport dhe Lidhje Kaltrina Zekolli.

ZNAM - Për Maqedoninë tonë dje njëzëri i caktoi kandidatët për zëvendësministra në Qeveri edhe atë Miroslav Labudoviq, magjistër i elektroteknikës dhe teknologjisë informative i cili ka përvojë pune në disa korporata në pozita të ndryshme, ndërsa për zëvendësministër të Transformimit digjital nga KQ të ZNAM është propozuar Radoslav Nastasijeviq Varxhiski, magjistër i shkencave ekonomike, departamenti i marketingut dhe menaxhmentit i lindur në Kumanovë ku ka kryer disa funksione në Komunë.

Siç informojnë partitë, zëvendësministrat e rinj pritet të votohen pas kthimit të kryeministrit Hristian Mickoski nga SHBA-ja, gjegjësisht prej 20 deri më 23 korrik. rq/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR