• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Vesli Klark: Sikur Millosheviqi ta kishte pranuar Rambujenë, NATO nuk do të kishte reaguar

Vesli Klark: Sikur Millosheviqi ta kishte pranuar Rambujenë, NATO nuk do të kishte reaguar
Zëri i Amerikës Pranimi i marrëveshjes së Rambujesë nga udhëheqja e atëhershme jugosllave ka të ngjarë të çonte në mos kryerjen e operacionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO),deklaroi për Zërin e Amerikës gjenerali në pension Uesli Klark, ish komandant i forcave evropiane të NATO-s. Ndërhyrja e Aleancës filloi në 24 mars të vitit 1999 dhe u parapri nga përplasjet midis forcave të atëhershme ushtarake të RFJ-së dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe vrasje, dëbime dhe përndjekje masive të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Vendimi për të ndërhyrë pa pëlqimin e KB-së ishte marrë pas negociatave të dështuara midis delegacioneve të Kosovës dhe RFJ-së në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe në mars të vitit 1999. "Unë mendoj se kemi ndalur spastrimin etnik që po ndodhte në atë kohë, ne u dhamë qytetarëve të Kosovës mundësinë për të vendosur sigurinë, dhe pastaj demokracinë. Dhe unë mendoj se ata e bënë këtë. Sidoqoftë, mendoj se puna akoma nuk ka përfunduar dhe ka ende tensione midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe ky nuk është rasti vetëm kur bëhet fjalë për ato dy vende - ekzistojnë tensione midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ballkani vepron si një zonë ku pllakat tektonike të njerëzimit janë përplasur në gjashtë shekujt e fundit apo më shumë. Dhe ka nevojë për përpjekje të vazhdueshme diplomatike për të zgjidhur këto çështje." tha Uesli Klark, duke shtuar se shpresonte që bashkësia ndërkombëtare të jetë në lartësinë e detyrës - sepse, siç theksoi ai, kjo është shumë e rëndësishme. "Marrëveshja e ofruar për presidentin Millosheviq në Rambuje ishte në thelb identike me atë të parashikuar për Bosnjë dhe Hercegovinën. Megjithatë, ai ishte arrogant… Kur trupat e NATO-s duhej të transferoheshin në BeH në vitin 1995 - Millosheviqi ra dakord dhe tha se kjo mund të bëhej përmes territorit serb. Katër vjet më vonë, ai ndryshoi mendim - duke refuzuar atë që iu ofrua. Ai sabotoi marrëdhëniet, negociatat dhe në fakt e bëri konfliktin të pashmangshëm. Ai këmbënguli me kokëfortësi", tha gjenerali i pensionuar amerikan. Ai gjithashtu kujton se shumë anëtarë të Aleancës besuan se gjërat do të ndryshonin pasi filluan sulmet ajrore kundër ish Republikës Federale të Jugosllavisë - të cilat ai tha se kishin për qëllim regjimin e atëhershëm politik. Sidoqoftë, kjo nuk ndodhi - sulmet zgjatën gjithsej 78 ditë, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund armiqësive dhe vendosi kushtet për tërheqjen e forcave jugosllave nga territori i krahinës së atëhershme. "Ai nuk e ndërroi mendjen dhe solli një konflikt të armatosur. Trupat e tij kryen mizori të shumta në Kosovë - kështu që ai e bëri rezultatin të pashmangshëm. Vetëm disa ditë më vonë, Aleancës iu bë e qartë se Millosheviçi duhet të heqë dorë nga Kosova. Nëse ai nuk do ta kishte kthyer armët, pajtimi mund të ishte i mundur, do të kishte më shumë paqe sot, nuk do të kishte tension të çastit. Sidoqoftë, ajo që ndodhi ndodhi, forcat ushtarake dhe policore serbe u tërhoqën nga Kosova dhe ka ende pakënaqësi të përhapur me rezultatin në Serbi," tha Klark, i cili vlerësoi se do të duheshin dekada për të vendosur një nivel të konsiderueshëm besimi midis dy palëve më parë kundërshtare Zëri i Amerikës: Kishte qytetarë që nuk kishin asnjë lidhje me Millosheviqin dhe qeverinë e tij. Por ata dhe familjet e tyre vuajtën gjatë fushatës - a ka ndonjë fjalë ngushëllimi për ta? Klark: Vitet 1990 ishin vite të vështira për shumë serbë. Duke filluar me të zhvendosurit nga Kraina kroate, shumë prej të cilëve mbetën të pastrehë në ish-Jugosllavi. Edhe për ata që u larguan nga Kosova në vitin 1999 për shkak të pakënaqësisë dhe frikës nga fqinjët e tyre. Kishte viktima civile dhe ndjehesha shum keq që po ndodhnin fatkeqësira për shkak të keqorientimit tonë. Ka gjëra që i kemi gabuar gjatë fushatës dhe njerëzit kanë humbur jetën. Veçanërisht mbaj mend incidentin në oborrin e shkollës në qytetin e Nishit - rastin kur kishte një defekt në armatimin e avionit të NATO-s. Rezultati ishte vdekja e nxënësve. Mund ta imagjinoj sa tronditëse ishte. Zëri i Amerikës: Çfarë mund të thoni për këtë? Klark: Atë që thamë atëherë - keqardhja më e thellë dhe simpatia më e sinqertë. Nuk mendoj se është e mundur të aplikohet ndonjë lloj kompensimi në këtë drejtim… Shumë gjëra kanë ndodhur, ka shumë dezinformata, humbje dhe tragjedi nga të gjitha palët. Ashtu si njerëz të pafajshëm dhe fëmijë të kombësisë serbe u vranë në konflikt - ashtu edhe njerëz të pafajshëm dhe fëmijë të kombësisë shqiptare. Gjërat që ndodhin në luftë janë të tmerrshme dhe nuk duhet të ndodhin. Mbi të gjitha, mënyra më e mirë është të përpiqesh të lehtësosh inatin dhe zemërimin dhe të ecësh përpara disi. Sepse nuk mund t'i ktheni të dashurit tuaj që keni humbur. Zëri i Amerikës: A shihni ndonjë mënyrë që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, duke i dhënë fund në këtë mënyrë armiqësive midis të dyja palëve? Klark: Gjithsesi që ka. Konsistohet nga ajo që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe Kosova t’i pranojë marrëdhëniet me Serbinë. Dhe kjo nuk duhet të bazohet në këmbim territorial si dhe në ndarje. As paditë dhe debatet janë mënytë që të arrihet kjo. Kjo duhet të bëhet në bazë të pajtimit dhe vendosjes së marrëdhënieve midis të dy fqinjëve të rinj. Nëse veprojnë në këtë mënyrë – gjithsesi që mund të ketë përparim. Por kjo nuk është e vetmja çështje e hapur e Ballkanit Perëndimor, çështja e Ballkanit Perëndimor. Në këtë pjesë do të ketë shumë pakënaqësi dhe kundërshtime si dhe dhimbje. Zëri i Amerikës: Sa mendoni se palët janë larg arritjes së kësaj zgjidhjeje? Klark: Politika e jashtme, në njëfarë mënyre, është tregues i politikës së brendshme dhe gjithmonë do të ketë persona të tillë të cilët do t’i zgjojnë mospajtimet për arsye politike në të dyja vendet. Palët për momentin janë kryesisht larga zgjidhjes. Kosova momentalisht merret me politilkën e brendshme dhe temat ekonomike. Gjithashtu , nuk është e lehtë të bindet Serbia në realitetin që Kosova është një shtet i pavarur. Përkundër kësaj, në Serbi ka akoma forca të cilat nuk e pranojnë faktin se Kosova është e pavarur. Është hedhur ideja karakteristike për rajonin e Evopës Lindore që lidhet me çështjen e territorit. Krenaria kombëtare – e lidhur me territorin e shtetit, kufijtë e tij dhe burimet natyrore që ndodhen atje. Megjithatë për pjesën më të madhe të njerëzvce, nuk është e rëndësishme se ku ndodhen minierat. Për njeriun e thjeshtë e rëndësishme është nëse mund të nxirren minerale nga miniera, të cilat më pas do të kontrobuojnë për zhvillimin ekonomik. Dhe kjo duhet të jetë e mundur pa marrë parasysh se ku ësht kufiri. Por, këto janë çështje të vjetra dhe mënyra të vjetra të të menduarit.

QËNDRONI TË LIDHUR