• e diel, 05 janar 2025

Valë e ftohtë dhe reshje të reja bore në pjesën perëndimore të Ballkanit

Valë e ftohtë dhe reshje të reja bore në pjesën perëndimore të Ballkanit

Sarajevë, 3 janar 2025 (MIA) - Në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbërriti ndryshimi i paralajmëruar i motit, duke sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje të reja bore.

Në disa pjesë të Bosnja e Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë ka filluar të bie shi, ndërsa në disa vende ka rënë edhe borë, ndërsa shërbimet kompetente kanë paralajmëruar për reshje të dendura shiu, temperatura të ulëta dhe erëra të forta.

Në Bosnja e Hercegovinë borë ka rënë në rajonin e Krajinës, ndërsa gjatë ditës pritet borë në pjesë të tjera të vendit.

Në BeH pritet të bien dy deri në dhjetë centimetra borë, ndërsa në vendet më të larta dhe në male 15 deri në 25 centimetra.

Një paralajmërim portokalli është dhënë për zonën e Banja Lukës dhe Bihaçit për shkak të erës së fortë, ndërsa paralajmërimi i verdhë për shkak të reshjeve është në fuqi në pjesën tjetër të vendit.

Në Kroaci, borë bie në Lika, Gorski kotar, por edhe në brendësi, në Zagreb, Karlovac, Sisak, Bjelovar dhe Kutinë.

Siç njoftojnë meteorologët kroatë, në vend pritet të formohet shtresë bore, veçanërisht në zonat malore ku mund të bien mbi 30 centimetra borë e re.

Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik i Kroacisë ka shpallur sot alarm të verdhë për rajonet qendrore dhe malore për shkak të borës dhe shfaqjes së mundshme të akullit dhe reshjeve të dendura të shiut.

Rënia e temperaturave në Serbi sjell edhe borë - në mëngjes në perëndim të Vojvodinës dhe në perëndim të Serbisë, dhe gradualisht nga mesi i ditës në zonat e tjera, kryesisht në jug të Savës dhe Danubit.

"Pritet krijimi dhe rritja e lartësisë së shtresës së dëborës, kryesisht nga dy deri në pesë centimetra në rajonet e ulëta, ndërsa në male rreth 10 centimetra, ndërsa në jugperëndim të Serbisë diku mbi 15 centimetra borë e re”, njoftoi Instituti Republikan Hidrometeorologjik i Serbisë.

Rënia e borës pritet të ndalet në fund të ditës dhe gjatë natës.

Instituti i Hidrometeorologjisë dhe Sizmologjisë i Malit të Zi bëri të ditur se nga fundi i ditës në veri të vendit, në male dhe në rajonet e ulëta pritet të ketë borë mesatare deri në të dendur. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR