• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tryeza e rrumbullakët për lajmërimin dhe menaxhimin e dhuratave për zyrtarët

Tryeza e rrumbullakët për lajmërimin dhe menaxhimin e dhuratave për zyrtarët

Shkup, 13 shtator 2023 (MIA) - Sot në Shkup po mbahet tryezë e rrumbullakët, me titull "Lajmërimi dhe menaxhimi i dhuratave dhe përfitimeve të tjera të marra: ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë?" Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, shprehet se kjo është një nga çështjet me të cilat ndërtohen mekanizma të llogaridhënies dhe për të cilat duhet të vendosen rregullativa specifike për të minimizuar ndikimet e jashtme në vendimmarrjen në nivel qendror.

Në një deklaratë për mediat, Gërkovska tha se si Kabinet, ata gjithmonë flasin për integritetin si vlerë personale, “që secili prej nesh duhet ta ketë dhe të udhëhiqet nga kjo kur ushtron pozicionin ose funksionin e tij, pavarësisht nëse është zyrtar, pavarësisht nëse është i punësuar në administratë, në kompani private.”

"Mirëpo, në botën e sotme të funksionimit dhe komunikimit, ndërthurjes midis politikës dhe biznesit, ekzistojnë disa sfida për atë se si funksionimi midis këtyre dy botëve mund të kishte kontribuar në ndikimin gjatë miratimit të vendimeve të caktuara politike. Prandaj edhe Këshilli i Evropës edhe Bashkimi Evropian kanë vendosur parime të rrepta kur bëhet fjalë për dhënien e dhuratave. Për shembull, komisionerët nuk mund të marrin dhuratë prej më shumë se 150 euro. Nëse ndodh kjo, atëherë ata kanë detyrim ta lajmërojnë atë në Zyrën e protokollit, e cila mban regjistër se kush e ka marrë dhuratën dhe kush e ka dhënë atë, sqaroi Gërkovska.

Ne si shtet, shtoi ajo, kemi gjithashtu detyrim për të rregulluar këtë çështje, “për më tepër, jo vetëm për shkak të rekomandimeve të Bashkimit Evropian, rekomandimet e GREKO-s, kanë për qëllim faktin se duhet të ketë rregulla të përcaktuara në mënyrë rigoroze për të shmangur, në thonjëza, miqësinë midis politikanëve dhe biznesmenëve dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në vendime dhe interesa të caktuara që mund të kenë për qëllim favorizimin e kërkesave zyrtare.”

“Ne si kabinet i propozuam Qeverisë para disa kohësh propozim për rregullimin e marrjes së dhuratave, u hap një diskutim mjaft i gjerë, konkluzioni ishte se duhet të shohim se si rregullohet në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mund të shohim se cili do të ishte modeli më i mirë për te ne, të harmonizohet, dhe kjo është arsyeja pse ky bashkëpunim me IFES ka lindur për të marrë një analizë dhe në bazë të asaj analize pastaj të propozojmë masa që do të zbatohen te ne”, shtoi Gërkovska.

Në pyetjen e gazetarëve nëse ata kanë njohuri për atë se sa janë dhuratat më të larta, a ka lajmëruar zyrtarisht dhuratë ndonjë zyrtar në vendin tonë, ajo u përgjigj se nuk ka informacion të tillë.

"Integriteti si vlerë, veçanërisht në kontekstin e politikës dhe ushtrimit të funksioneve në emër të qytetarëve, është ndoshta mekanizmi më i rëndësishëm parandalues kur bëhet fjalë për trajtimin e korrupsionit. Por, megjithëse integriteti bazohet kryesisht në vetë strukturën e një personi dhe busullën e tij të brendshme për sjellje etike, kompleksiteti i botës në të cilën jetojmë dhe marrëdhëniet e shumta dhe interesat e ndryshme që janë pjesë e peizazhit politik imponojnë nevojën për rregullim të qartë të çështjeve të caktuara. Pikërisht në këtë drejtim, rregullimi i dhuratave të marra nga zyrtarët është pjesë e asaj enigme të madhe, e rregullat për pranimin dhe lajmërimin e dhuratave kanë për qëllim shmangien e situatave që mund të kërcënojnë integritetin dhe të krijojnë hapësirë për ndikim nga grupe të ndryshme të interesit dhe individë", tha Gërkovska.

Ajo përkujtoi se në vitet e fundit, theks i veçantë i është kushtuar kësaj çështjeje, gjë që ka bërë që një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të miratojnë rregulla të përshtatshme që synojnë rregullimin e pranimit dhe lajmërimit për dhuratat.

"Si shembull, konsideroj se është e rëndësishme të përkujtojmë se në nivelin e Bashkimit Evropian, Kodi i Sjelljes tani kërkon që komisionerët të ruajnë pavarësinë e tyre nga çdo qeveri kombëtare dhe organ tjetër dhe në mënyrë konkrete kufizojnë aktivitetet e tyre të jashtme. Prandaj, Komisionerët e BE-së nuk duhet të pranojnë dhuratë me vlerë më të madhe se 150 euro, dhe nëse një gjë e tillë ndodh, ata janë të detyruar ta dorëzojnë atë në departamentin e protokollit. Sektori i Protokollit të Komisionit mban regjistër publik të dhuratave të dorëzuara, së bashku me identitetin e dhuruesit. Indikacionet dhe rekomandimet specifike për këtë temë janë formuluar nga Grupi i Shteteve GREKO kundër korrupsionit të Këshillit të Evropës. Në raundin e pestë të Raportit të evaluimit, GREKO shqyrtoi masat antikorrupsion të zbatueshme për pushtetin ekzekutiv në nivel qendror. Në vlerësimin për Maqedoninë e Veriut, GREKO rekomandoi "thjeshtimin e rregullave ekzistuese për pranimin e dhuratave nga personat të cilëve u janë besuar funksione të larta ekzekutive dhe të sigurohen këshilla për menaxhimin e situatave të tilla", tha Gërkovska në fjalimin në fillim të Konferencës.

Më vonë, shtoi ajo, GREKO ka theksuar nevojën për zbatimin e plotë të këtij rekomandimi.

"Në Raportin për aktivitetin e përgjithshëm për vitin 2020, u përsërit rëndësia e vendosjes së kufizimeve të rrepta në raport me dhuratat dhe përfitimet e tjera dhe u theksua rreziku i shkëmbimit të "përfitimeve" në situata kur ka "miqësi" të tepruar, të cituar midis politikanëve dhe bashkësisë afariste", tha Gërkovska.

Me mbështetjen e IFES, ajo informoi se u angazhuan ekspertë ndërkombëtarë, të cilët zhvilluan studim të nevojshëm krahasues, i cili fitoi njohuri për praktikat ndërkombëtare mbi rregullat dhe procedurat në lidhje me pranimin dhe lajmërimin e dhuratave nga personat në funksionet më të larta ekzekutive - duke përfshirë kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e shtetit dhe personat e zgjedhur dhe të emëruar nga Qeveria.

"Ky studim krahasues dhe dizajnimi i masave dhe procedurave specifike janë pjesë e spektrit të aktiviteteve për të luftuar korrupsionin, veçanërisht në fushën e forcimit të integritetit në ushtrimin e funksioneve publike. Qëllimi kryesor që kemi para nesh është promovimi i mekanizmave mbikëqyrës që parandalojnë korrupsionin dhe përmirësojnë transparencën në sistemin e qeverisjes në vend. E kjo është pikërisht një nga çështjet që ndërtojnë mekanizmat e llogaridhënies dhe prezantojnë rregullore konkrete për të minimizuar ndikimet e jashtme në vendimmarrjes në nivel qendror. Unë pres që shqyrtimi i sotëm në praktikat ndërkombëtare mbi rregullat dhe procedurat në lidhje me pranimin dhe lajmërimin e dhuratave të na tregojë qartë se cilat përvoja janë më të përshtatshme për t'u përkthyer në rregullativën e brendshme", ishte decide Gërkovska.

Ajo tha edhe se trajtimi i korrupsionit është çështje komplekse që kërkon angazhim dhe këmbëngulje nga të gjitha institucionet kompetente, por "duhet të marrim parasysh se çdo hap në këtë drejtim, çdo përmirësim i mekanizmave ekzistues dhe çdo praktikë e forcuar antikorrupsion janë të rëndësishme dhe vendimtare në mënyrë që të bëjmë hap më të madh drejt ndryshimit më të gjerë pozitiv që të gjithë e dëshirojmë dhe për të cilin punojmë çdo ditë."

Drejtoresha e Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore, Joana Kosma, falënderoi Gërkovskën për udhëheqjen e këtij "diskutimi shumë të rëndësishëm në lidhje me pranimin dhe lajmërimin e dhuratave".

"Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore është i lumtur që është në gjendje të organizojë dhe mbështesë përpjekje të tilla", tha ndër të tjera Kosma.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR