• e mërkurë, 02 tetor 2024

Tripunovski: Dy firma kanë marrë në mënyrë joligjore subvencione prej mijëra eurosh, Prokuroria Publike duhet të hapë hetim

Tripunovski: Dy firma kanë marrë në mënyrë joligjore subvencione prej mijëra eurosh, Prokuroria Publike duhet të hapë hetim

Shkup, 10 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Cvetan Tripunovski sot ka akuzuar ish-ministrin e Bujqësisë Ljupço Nikollovski se derisa ishte në krye të MBPEU-së, i ka mundësuar dy firmave që të marrin ilegalisht subvencione prej mijëra eurosh.

Sipas Tripunovskit, bëhet fjalë për firmën AREKSPORT SHPKNJ Import-Eksport nga Strumica e cila, siç tha ai, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë rreth 30 milionë denarë subvencione dhe për Shoqërinë për Bujqësi dhe Blegtori Ilinden e cila ka marrë mbi 19 milionë denarë.

Në një konferencë për shtyp, Tripunovski i bëri thirrje Prokurorisë Publike që menjëherë të hapë hetime, duke theksuar se këto dy raste janë pjesë e gjithsej pesë rasteve që janë duke u punuar.

“Nga sot asgjë nuk do të jetë si më parë. Fillojmë me publikimin e të gjitha rasteve dhe aferave të dyshimta nga menaxhimi i mëparshmëm me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Ljupço Nikollovskit si ministër i atëhershëm. Qytetarët, përveç se si ka punuar Nikollovski, sot do të kenë mundësinë të dëgjojnë se çfarë ka ndodhur në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave gjatë shtatë viteve të fundit dhe se si subjekte juridike i kanë marrë paratë e shtetit jashtë të gjitha procedurave dhe rregulloreve”, tha Tripunovski.

Siç shpjegoi ai, nga viti 2019 deri në vitin 2022 MBPEU-ja ka lidhur 19 kontrata me AREKSPORT SHPKNJ Import-Eksport për një sipërfaqe totale prej 1,416 hektarësh.

“Pas inspektimit të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, u konstatua se për 11 marrëveshje me sipërfaqe prej 941 hektarësh, nga qiramarrësi nuk janë respektuar dispozitat e Marrëveshjes dhe është dashur të ndërpriten. Në bazë të këtyre kontratave, qiramarrësi nga Agjencia për Mbështetje Financiare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka realizuar të hyra prej 485 mijë euro në bazë të subvencioneve. Krahas kësaj, qiramarrësit i është dashur të investojë mbi 2 milionë e 450 mijë investime në tokën në fjalë përmes një plan biznesi që i ka ofruar Ministrisë dhe në momentin e kontrollit nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë është konstatuar se ka pasur një investim. rreth 300 000 eurosh. Gjithashtu, inspektorët kanë konstatuar se qiramarrësi nuk ka paguar qiranë për vitin 2022 dhe 2023, gjë që ka shkaktuar dëme shtesë në buxhet prej 60 mijë eurosh”, theksoi ministri.

Ai shtoi se është vepruar në kundërshtim me nenin 8 dhe 8-a të Ligjit për Tokën Bujqësore dhe toka bujqësore e cila nuk është kultivuar në bazë të kontratave të lidhura nuk është evidentuar fare dhe nuk janë marrë masa për paralajmërim apo ndërprerje të kontratave.

“AREKSPORT nga Strumica ka shfrytëzuar tokën bujqësore sipas Marrëveshjes, nuk ka paguar qiranë, nuk e ka kultivuar dhe në kundërshtim me ligjin ka shfrytëzuar subvencione nga shteti, me çka ka dëmtuar drejtpërdrejt Buxhetin e Republikës së Maqedonisë. Pikërisht për shkak se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave nuk ka reaguar për këtë shkelje të procedurave në vitet e kaluara, shtrohet pyetja nëse me vetëdije i është lejuar këtij subjekti juridik që ta dëmtojë buxhetin e Maqedonisë për më shumë se dy milionë euro”, tha Tripunovski.

Lidhur me rastin e dytë, është bërë e ditur se Shoqëria e Bujqësisë dhe Blegtorisë Ilinden me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave më 05.10.2000 kanë lidhur kontratë qiraje në kohëzgjatje prej 30 vitesh për një sipërfaqe prej 1,604 hektarësh, ndërsa më 03.07.2005 u nënshkrua Aneksi i kësaj kontrate duke reduktuar sipërfaqen në 1067 hektarë, për më vonë, në vitin 2010, të ripërfundojë aneksin dhe të zvogëlojë sipërfaqen në 945 hektarë tokë bujqësore shtetërore.

“Në vitin 2019 është nisur padia për qira të papaguar për vitet 2017, 2018 dhe 2019 dhe në shtator të vitit 2021, pas inspektimit të listës së debitorëve nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, është konstatuar se qiramarrësi nuk ka respektuar detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për pagesën e qirasë dhe shfrytëzimit të tokës bujqësore shtetërore, për këtë arsye është sjellë Deklarata për zgjidhjen e njëanshme të Marrëveshjes për dhënien me qira të tokës bujqësore, e cila është vërtetuar edhe me aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit - Shkup,. Ndonëse Deklarata e zgjidhjes  së njëanshme të marrëveshjes së qirasë është lëshuar më 28/09/2021, Ministria nuk ka respektuar nenin 41a paragrafi 5 të Ligjit për Tokën Bujqësore dhe nuk ka dorëzuar kopjen e Deklaratës së zgjidhjes së marrëveshjes së qirasë në mënyrë elektronike, në Agjencinë e Kadastrës të Patundshmërive, për të fshirë shënimin e Kontratës së qirasë që ka pasur personi juridik”, tha Tripunovski.

Sipas tij, për shkak të mosekzekutimit të kompetencave dhe detyrimeve ligjore nga ana e Ministrisë (zbatimi i procedurës për fshirje nga Regjistri Unik i Ekonomive Bujqësore), si dhe për shkak të moskoordinimit me Agjencinë për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural, ka qenë e mundur që qiramarrësi edhe pas përfundimit të marrëveshjes së qirasë, të mund të vazhdojë të aplikojë për subvencione.

“Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023, për gjithsej tri vite, qiramarrësit i ka paguar mbi 19 milionë denarë në bazë të subvencioneve. Edhe pas përfundimit të Marrëveshjes, këtij subjekti juridik i janë paguar subvencione. Kjo hap dilemën nëse këto lëshime nga ana e institucioneve janë një skemë për të nxjerrë më shumë para nga buxheti i shtetit? Gjithashtu, në kundërshtim me nenin 14-a të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Shoqëria e Bujqësisë dhe Blegtorisë Ilinden nuk është e regjistruar në listat e debitorëve ndërsa kishte të drejtën e shfrytëzimit të kontratës nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë të Ujërave. Gjithashtu, në kundërshtim me nenin 15 të të njëjtit Ligj, Ministria e Bujqësisë,  Pylltarisë dhe Ekonomisë të Ujërave nuk e ka fshirë marrëveshjen e qirasë nga Regjistri Unik i Ekonomive Bujqësore, bazë e së cilës është paraqitja e kërkesës për subvencione dhe i ka mundësuar qiramarrësit që në mënyrë të pajustifikuar të marrë mbi 19 milionë denarë subvencione”, theksoi ministri.

Ai gjithashtu theksoi se në të njëjtën kohë Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi nuk ka bërë kontroll në pajtim me nenin 48 të këtij ligji dhe ka paguar mjete financiare në kundërshtim me dispozitat e nenit 50, 51, 52 dhe 61.

 “Këto janë vetëm dy raste të mbështetura me prova të forta që konfirmojnë se sistemi dhe institucionet janë tërësisht të shkatërruar, por tregon edhe një operacion të pandershëm dhe kriminal të kryesisë së mëparshme të LSDM-së dhe Nikollovskit. Institucionet duhet të punojnë në shërbim të qytetarëve, prandaj i bëj thirrje Prokurorisë Publike që të veprojë menjëherë dhe të hetojë se cili ishte qëllimi dhe pse iu lejuan këtyre dy subjekteve juridike të marrin një shumë të madhe parash, para të shtetit, edhe pse Ministria dhe institucionet e tjera kompetente duhet të kishin reaguar me shpejtësi. Këto janë prova të forta dhe indikacione të një vepre penale dhe për këtë do t'i dërgohen raporte përkatëse Prokurorisë Publike, MPB-së dhe Policisë Financiare për hetime të mëtejshme dhe për zbardhjen e plotë të këtyre dy rasteve, tha Tripunovski, sipas të cilit, askush nuk duhet dhe nuk mund të jetë mbi ligjin.

Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të shpallen edhe raste të tjera të keqpërdorimit të subvencioneve dhe mjeteve buxhetore.

“Sot, këta dy shembuj dëshmojnë qartë se dy personat juridikë kanë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme një shumë të madhe parash jashtë procedurave, prandaj ndodhemi para një situate ku fermerëve nuk u janë paguar subvencionet, sepse dikush tjetër ka pasur privilegj në pjesën e shpërndarjes, nënvizoi Tripunovski.

Foto/video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR