Trampi bisedoi me Makronin para samitit të sotëm në Paris për paqen dhe sigurinë në Ukrainë
- Presidenti i Francës, Emanuel Makron ka biseduar me presidentin amerikan, Donald Tramp para takimit të sotëm në Paris për Ukrainën, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të rreth 30 vendeve si dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, njofton presidenca franceze.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:42, 27 mars, 2025

Paris, 27 mars 2025 (MIA) - Presidenti i Francës, Emanuel Makron ka biseduar me presidentin amerikan, Donald Tramp para takimit të sotëm në Paris për Ukrainën, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të rreth 30 vendeve si dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, njofton presidenca franceze.
Makron dhe kryeministri Kir Starmer janë nikoqir të takimit të sotëm në të cilën do të bisedohet për forcimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, si dhe për garancitë e sigurisë për vendin që do të jepnin aleatët perëndimor në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Samiti, siç tha Makroni javën e kaluar, duhet të mundësojë "finalizimin" e punës për një marrëveshje ndihme ushtarake për Ukrainën "në një afat të shkurtër", mbi një "model të përhershëm dhe të qëndrueshëm të armatës ukrainase për të parandaluar pushtimin rus" në të ardhmen dhe për "garancitë e sigurisë që mund të sjellin armatat evropiane", duke përfshirë vendosjen tokësore në territorin ukrainas.
Çështja e dërgimit të paqeruajtësve perëndimorë në territorin ukrainas në rast të një armëpushimi me Rusinë do të jetë në fokus të samitit, njofton televizioni BFM.
Iniciativa për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë për shkak të garantimit të paqes mbështetet kryesisht nga Makroni dhe Starmeri. qa/
Foto: EPA