Tramp: SHBA është një “katastrofë” në sytë e botës
- Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale të SHBA-së, duke e quajtur vendin nën udhëheqjen aktuale “katastrofë” në sytë e botës.
- Post By Fami Bajrami
- 14:42, 2 janar, 2025
Uashington, 2 janar 2025 (MIA) - Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale të SHBA-së, duke e quajtur vendin nën udhëheqjen aktuale “katastrofë” në sytë e botës.
Në platformën “Truth Social”, Tramp ka akuzuar qeverinë aktuale për politikë kufijsh të hapur, si dhe për liderizëm të dobët dhe joefektiv, gjë që siç tha ai çoi në situatën aktuale.
Ai kritikoi veçanërisht Ministrinë e Drejtësisë, FBI-në dhe demokratët në nivel shtetëror dhe vendor, duke i akuzuar se nuk e kryejnë punën e tyre.
Sipas tij, këto institucione në vend që të mbrojnë amerikanët u fokusuan në “sulme të paligjshme” ndaj tij dhe injoruan kërcënimet dhe dhunën, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda.
“Demokratët duhet të kenë turp nga vetja që lejuan që kjo të ndodhë me vendin tonë”, tha Tramp dhe paralajmëroi se situata është serioze, duke e bërë të nevojshme përfshirjen e CIA-s “para se të jetë tepër vonë”.
Ai tha se vetëm forca dhe lidershipi i fuqishëm mund të ndalojnë situatën kritike në SHBA.
“Shihemi më 20 janar”. Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe!”, tha presidenti i sapozgjedhur Tramp në rrjetin social, 18 ditë para inaugurimit të tij zyrtar.
Foto: arkivi