• e diel, 05 janar 2025

Sholc shprehu shqetësim për mbështetjen e Maskut për të djathtën ekstreme në Gjermani

Sholc  shprehu shqetësim për mbështetjen e Maskut për të djathtën ekstreme në Gjermani

Berlin, 4 janar 2025 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc shprehu shqetësimin për mbështetjen që miliarderi Ilon Mask po i jep partisë së ekstremit të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për më 23 shkurt, transmeton DPA.

Socialdemokrati Sholc në një intervistë për revistën “Shtern” ka theksuar se nuk e shqetësojnë sulmet e Maskut ndaj tij apo ndaj politikanëve të tjerë gjermanë, por se mbështetja e miliarderit për ekstremin e djathtë është shumë më shqetësuese.

"Shumë më shqetësues se ofendime të tilla është fakti që Mask po mbështet një parti të ekstremit të djathtë si AfD, e cila po shtyn për afrimin me (Presidentin rus Vladimir) Putin dhe po përpiqet të dobësojë marrëdhëniet transatlantike”, tha Sholc.

Koalicioni tripartiak pas qeverisë së tij u shpërbë, duke çuar në shpërbërjen e Bundestagut, Dhomës së poshtme të parlamentit gjerman, nga presidenti Frank-Ualter Shtajnmaer dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Zëvendëskancelari Robert Habek, i cili është kandidati për kancelar i partisë Unioni 90/të Gjelbërit, e paralajmëroi Maskun që të mos ndërhyjë në zgjedhjet gjermane në  intervistën e djeshme për revistën gjermane, Shpigel, “Larg duart nga demokracia jonë, zoti Mask", bëri thirrje Habek. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR