Tramp: Plani paqësor për Ukrainën është fleksibil, Moska është dakorduar për lëshime, ndërsa afati i fundit është "kur gjithçka të ketë mbaruar"
- Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se është optimist për planin paqësor për Ukrainën dhe më pas hoqi dorë nga afati i caktuar për Kievin për të pranuar propozimin. Trampi paralajmëroi avancim në negociata, duke theksuar se Moska kishte rënë dakord për lëshime dhe se e gjithë korniza ishte fleksibile, duke e përshkruar atë "vetëm si një hartë".
- Post By Fami Bajrami
- 07:32, 26 nëntor, 2025
Uashington, 26 nëntor 2025 (MIA) – Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se është optimist për planin paqësor për Ukrainën dhe më pas hoqi dorë nga afati i caktuar për Kievin për të pranuar propozimin.
Trampi paralajmëroi avancim në negociata, duke theksuar se Moska kishte rënë dakord për lëshime dhe se e gjithë korniza ishte fleksibile, duke e përshkruar atë "vetëm si një hartë".
Trampi u tha gazetarëve në aeroplanin presidencial "Air Fors One" gjatë rrugës për në Florida, ku do të festojë Ditën e falënderimeve, se negociatorët po arrijnë përparim në konsultimet me Rusinë dhe Ukrainën. Lidhur me afatin, Trampi tha se nuk kishte vendosur një afat të caktuar.
"Afati i fundit për mua është kur të mbarojë gjithçka", deklaroi Trampi, duke vënë në dukje se "të gjithëve u ka ardhur te hunda nga luftimet në këtë moment". Presidenti amerikan para gazetarëve e mbrojti propozimin fillestar të SHBA-së prej 28 pika, duke e përshkruar atë "vetëm si një hartë" jo si një plan të finalizuar. "Morën secilën nga 28 pikat dhe më pas zbritën në 22 pika. Shumë prej tyre u zgjidhën dhe në fakt u zgjidhën shumë në mënyrë të favorshme", tha ai.
Fillimisht korniza amerikane u kritikua në Evropë dhe Ukrainë për njëanshmëri të madhe në favor të interesave ruse, duke ngritur frikën se administrata Tramp mund ta detyrojë Ukrainën të nënshkruajë një marrëveshje paqësore. Kievi dhe Uashingtoni tani kanë thënë se qeveria ukrainase ka rënë dakord për pikat kryesore të kornizës së rishikuar.
I pyetur në lidhje me shqetësimet se Ukraina mund të detyrohet për të bërë lëshime të tepërta territoriale, Trampi tha se vendi në fjalë "ndoshta do të pushtohet nga Rusia gjithsesi" në muajt e ardhshëm. Ai shtoi se Moska gjithashtu do të bënte lëshime, duke përfshirë ndërprerjen e luftimeve dhe përmbajtje nga marrja e "pjesëve më të mëdha të tokës", por nuk precizoi se çfarë lëshime.
Ai gjithashtu tha se Rusia duket se ka epërsi në luftë dhe se është në interes të Ukrainës të arrijë marrëveshje. Për momentin zhvillohen negociata me vendet evropiane për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Foto: EPA