Putin: Takimi me Vitkof dhe Kushner ishte shumë i dobishëm
- Takimi me përfaqësuesin e posaçëm amerikan, Stiv Vitkof, dhe Xhared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Tramp, në Kremlin ishte shumë i dobishëm, deklaroi sot presidenti rus Vladimir Putin.
- Post By Qefsere Abduli
- 09:42, 4 dhjetor, 2025
Moskë, 4 dhjetor 2025 (MIA) - Takimi me përfaqësuesin e posaçëm amerikan, Stiv Vitkof, dhe Xhared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Tramp, në Kremlin ishte shumë i dobishëm, deklaroi sot presidenti rus Vladimir Putin.
Në një intervistë për "India tudej", Putini tha se propozimet që negociatorët amerikanë sollën në Moskë bazohen në marrëveshjet midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë, por, gjithashtu theksoi se arritja e konsensusit është "detyrë e vështirë".
Pala amerikane i ka ndarë 27 pikat e planit të Trampit në katër paketa dhe ka propozuar që të diskutohet për to veç e veç, tha presidenti rus.
Putini shpjegoi se duhej të shqyrtonte pothuajse çdo pikë të planit, prandaj takimi me delegacionin amerikan zgjati kaq gjatë, rreth pesë orë.
Në takim kishte çështje me të cilat Rusia nuk ishte dakord, ndërsa palët diskutuan për to, tha Putin.
Presidenti rus gjithashtu theksoi se banorët e rajoneve Donjeck dhe Luhansk në Ukrainë (të ashtuquajturat DNR dhe LNR) nuk duan të jetojnë me Ukrainën dhe e shprehën këtë nëpërmjet një referendumi.
"Rusia i ka propozuar Ukrainës të tërheqë trupat e saj nga Donbasi dhe të mos fillojë operacione ushtarake, por Kievi vendosi të hyjë në luftë", tha Putini.
Ai deklaroi se Rusia do të lirojë Donbasin dhe Novorusinë "në çdo rast, me mjete ushtarake ose të tjera".
Putini, gjithashtu, tha se Rusia po përpiqet të ndërtojë marrëdhënie midis DNR dhe LNR dhe Ukrainës, por Kievi nuk i pranon ato. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s