• e diel, 22 dhjetor 2024

Taravari: Vendimi që kryeministër teknik të jetë Xhaferi, duhet të mbështetet nga të gjithë

Taravari: Vendimi që kryeministër teknik të jetë Xhaferi, duhet të mbështetet nga të gjithë

Shkup, 9 dhjetor 2023 (MIA) - Kjo është marrëveshje mes BDI-së dhe LSDM-së që nga fillimi i mandatit. Për ne është simbolike, sigurisht që do ta mbështesim. Mendoj se çdo parti shqiptare, edhe ne të gjithë, duhet të tregojmë mendjegjerësi në këto momente dhe të vazhdojmë të kemi zgjedhje të suksesshme, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, i pyetur nëse për partinë e tij është i pranueshëm vendimi që Talat Xhaferit të jetë kryeministër teknik njëqind ditë para zgjedhjeve në vitin 2024.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Taravari u përgjigj se në parim kanë një vendim nga Kryesia Qendrore e Aleancës për Shqiptarët të veprojnë të pavarur në zgjedhjet parlamentare.

"Por këto çështje nuk janë mbyllur. Kryesia qendrore e partisë është organi më i rëndësishëm në mes të dy kongreseve, aty do të vendoset përfundimisht", tha Taravari para fillimit të panelit "Aktivizohu kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave" të organizuar nga partia e tij sot në Shkup.

Për zgjedhjet presidenciale, tha ai, nuk kanë diskutuar nëse do të kenë kandidatin e tyre për president të shtetit dhe se këtë diskutim duhet ta hapin edhe brenda partisë.

"Të gjitha kombinimet janë të mundshme - do të kemi dhe mbështesim dikë tjetër, do ta shohim. Nuk kemi një vendim përfundimtar", shtoi kreu i Aleancës për Shqiptarët.

I pyetur nëse është e vërtetë që votimin për qeverinë teknike e kushtëzojnë për shkak të një anëtari në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Taravari është përgjigjur se nuk kushtëzojnë askënd.

"Nuk kemi kushtëzuar askënd si parti politike. Ne kemi pasur pikëpamjet tona, nuk mendoj se ia vlen të flasim. Se kush do të jetë anëtar i KSHZ-së vendos populli në zgjedhje. Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin në vitin 2020, kur populli vendosi që Aleanca të kishte një anëtar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Dhe ka pasur, por anëtari ynë i KSHZ-së tani është ministër i Drejtësisë. Në vend të tij do të emërojmë një person tjetër. Për pesë muaj do të ketë sërish zgjedhje dhe pastaj populli do të vendosë sërish se kush do të jetë anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve", shtoi Taravari. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR