• e premte, 27 dhjetor 2024

Taravari: Punësimet e paralajmëruara duhet të realizohen në janar

Taravari: Punësimet e paralajmëruara duhet të realizohen në janar

Gostivar, 27 dhjetor 2024 (MIA) - Mbi një mijë punësimet e paralajmëruara në shëndetësi e kanë kaluar filtrin qeveritar dhe kanë marrë pëlqimin nga Ministria e Financave, konkurset do të shpallen në janar, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari i cili sot vizitoi Spitalin e përgjithshëm në Gostivar.

"Procedurat në qeveri kanë kaluar, tani u takon drejtorëve. Për ata punonjës që kanë kontrata atyre u është vazhduar edhe për tre muaj, që të mos largohen. Bëhet fjalë për një shtrirje të madhe prej rreth 1.200 personash nga personeli i mesëm mjekësor dhe duhet t'i nënshtrohen testimit. Pres që kjo të realizohet deri në mes të janarit", ka thënë Taravari.

Ai theksoi se së shpejti duhet të shpallet lista me 315 specializantë që do të shkojnë në specializime dhe se në mesin e tyre janë 15 studentë të mjekësisë që treguan njohuritë më të mira. Taravari e vlerësoi të fortë dinamikën e punësimeve dhe si një paralajmërim të fuqishëm se kështu do të vazhdojë, duke theksuar se një volum i tillë i punësimeve mbi 1.500 nuk ka pasur deri tani.

“Duhet të rishikojmë edhe buxhetet e institucioneve shëndetësore për të parë se ku duhet të investohet, por fokusi do të jetë përsëri te burimet njerëzore, sepse nuk na duhen spitale dhe pajisje të reja pa punonjës shëndetësorë”, thekson Taravari.

Në pyetjen e gazetarëve për tejkalimin e problemit me murin pranë klinikës për fëmijë në Shkup, ministri Taravari u përgjigj se projekti është përgatitur në bashkëpunim me komunën Qendër me kryetarin e së cilës kanë komunikim të shkëlqyer.

"Fatkeqësisht me kryetaren e Qytetit të Shkupit nuk ka pasur komunikim të mirë, ndërsa bëhet fjalë për investim serioz. Ajo rrugë duhet të rindërtohet dhe të bëhet një mur krejtësisht i ri. Për atë projekt në vitin 2024 nuk kishte para dhe shpresoj që në të ardhmen ai problem të tejkalohet dhe të mos jetë pengesë", ka thënë Taravari.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR