• e mërkurë, 04 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Taravari: Procesi i rinovimit të sallave kirurgjikale dhe KARIL-it do të jetë i koordinuar dhe pacientët nuk do të vuajnë

Taravari: Procesi i rinovimit të sallave kirurgjikale dhe KARIL-it do të jetë i koordinuar dhe pacientët nuk do të vuajnë

Shkup, 24 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në kuadër të investimeve në infrastrukturë dhe pajisje të reja në shëndetësi, për javën e ardhshme e paralajmëroi fillimin e rinovimit të Repartit për kujdes intensiv në Qendrën klinike, ndërsa nga 1 prilli do të fillojë edhe rikonstruimi i plotë i sallave kirurgjikale në Qendrën klinike. I gjithë procesi i renovimit të sallave kirurgjikale dhe KARIL-it do të bëhet në mënyrë të koordinuar, tha ai, dhe nuk do të ketë pasoja për pacientët. 

"Angazhimi ynë për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore dhe më të mira për pacientët tanë, mbetet faktori më i rëndësishëm për të cilin angazhohemi si Ministri. Nga java e ardhshme duhet të fillojë rinovimi i Repartit për kujdes intensiv në Qendrën klinike, nga 1 prilli të fillojë me rikonstruimin e plotë të sallave në Qendrën klinike në Shkup, megjithatë në të njëjtën kohë edhe sallat e operacioneve në "8 Shtatori", krejtësisht të reja me kujdes të plotë intensiv dhe hapësirë për laborator dhe mikrobiologji. Kështu që mendoj që për këta 7-8 muaj është investuar mjaftueshëm dhe është bërë aq sa mundet MSH si pjesë e kësaj Qeverie", tha Taravari në promovimin e pajisjeve të reja mjekësore për Repartin e Urologjisë në Klinikën kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit". 

Ai tha se me përfundimin e gjithë procesit, sallat në Qendrën Klinike, në KARIL dhe më 8 Shtator do të marrin një pamje moderne me standarde të reja.

"Pas 5, 6 muajsh, të gjitha këto salla të rinovuara dhe me standarde të reja, do të duken si duhet të duket një sallë kirurgjike vërtetë moderne, ndërsa në "8 Shtatori" nuk do të ketë vetëm sallë kirurgjike, por edhe terapi intensive, një laborator të ri, laboratorë të rinj mikrobiologjikë. Këto janë disa hapësira. Nuk e di saktë sipërfaqen, por mendoj se janë diku rreth 5, 6 mijë metra katrorë renovim. Paratë janë siguruar përmes projektit nga Aeroporti i Shtipit me TAV. Kemi rënë dakord si Qeveri që një nga prioritetet tona të jenë sallat kirurgjikale në "8 Shtatori". Vetëm Qendra Klinike nuk mund të mbulojë tërë Shkupin. “8 Shtatori” dhe Spitali i Qytetit janë shumë të rëndësishme për ne", tha ministri i Shëndetësisë. 

Sa i përket asaj se kush do ta mbajë të gjithë barrën e pacientëve gjatë rinovimit, Taravari siguroi se i gjithë procesi do të jetë i koordinuar. 

"Gjatë gjithë kohës jemi të koordinuar. Kjo do të jetë graduale dhe në faza . Po fillojmë me KARIL-in, rikonstruksioni i të cilit duhet të zgjasë gjashtë muaj, pastaj vazhdojmë me sallat kirurgjikale në Qendrën Klinike nga 1 prilli deri diku në mes të qershorit. Më pas me shumë mundësi do të fillojmë rikonstruksionin në "8 Shtarori", i cili gjithashtu duhet të përfundojë për 3-4 muaj. Ndërkohë ekipet e Spitalit të Qytetit, "8 Shtatorit" dhe Qendrës Klinike do të jenë në komunikim dhe koordinim pa ndërprerje me Ministrinë e Shëndetësisë", thotë Taravari.

Drejtori i Klinikës Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” Dr. Nebojsha Nastov po ashtu siguron se nëse është e nevojshme do të ndihmojnë njëri-tjetrin sa i përket personelit, ndërsa pacientët do t'i mbulojnë edhe klinikat tjera ku ka kujdes intensiv.

Ai nënvizoi se renovimi do të vazhdojë në mënyrë sekuenciale dhe me përfundimin e renovimit të një pjese, do të vazhdojë renovimi i një pjese tjetër, por gjatë gjithë kohës mbulimi do të jetë adekuat për popullatën që mbulojnë këto tre spitale.

Ministri Taravari shtoi se të premten do të vihet në përdorim edhe reparti për kujdes intensiv në Klinikën Infektive.

"Tri salla kirurgjikale tashmë janë rinovuar në Qendrën Klinike dhe do të funksionojnë gjatë gjithë kohës. Dhjetë janë duke u rinovuar tani. Pra nuk do të ketë më pak shtretër për pacientët që kanë nevojë për kujdes intensiv. Mund të ketë edhe më shumë kapacitete sepse ndërkohë kemi investuar në kujdes intensiv në Klinikën Infektive, e cila tashmë është duke u vënë në përdorim të premten. Pra, gjithçka është e planifikuar, gjithçka është e paraparë dhe shpresoj që të mos ketë vështirësi apo probleme, gjithçka është nën kontroll, tha ministri Taravari. ls/

 

 

Foto/video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR