Taravari: Nuk e kemi në plan ta lëshojmë qeverinë
- Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN i cili përbëhet nga katër parti, Arben Taravari, përsëriti vlerësimin se koalicioni funksionon në mënyrë jo të sinkronizuar dhe se pret që kjo të korrigjohet, por dhe se nuk mendojnë të largohen nga Qeveria.
- Post By Fami Bajrami
- 12:52, 1 prill, 2025

Shkup, 1 prill 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN i cili përbëhet nga katër parti, Arben Taravari, përsëriti vlerësimin se koalicioni funksionon në mënyrë jo të sinkronizuar dhe se pret që kjo të korrigjohet, por dhe se nuk mendojnë të largohen nga Qeveria.
“Për momentin jo dhe nuk planifikojmë të largohemi nga Qeveria”, tha Taravari në pyetjen e gazetarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ku informoi mbi gjendjen e trajtimit të pacientëve të lënduar nga zjarri në Koçan.
Ai ka theksuar se gjatë daljes së djeshme në emisionin për servisin nacional, tha se ka pakënaqësi në funksionimin e VLEN-it e cila vjen si pasojë e mossinkronizimit të partive në koalicionin që është pjesë e Qeverisë.
"Është e vështirë kur ka një parti e lëre më katër. Pra na duhet një koordinim më i mirë, sepse tek njerëzit është përshtypja e keqe se nuk po veprojmë siç duhet. Ka 70 për qind besim në Qeveri, ndërsa në pyetjen se sa jeni të kënaqur me VLEN-in në Qeveri, kjo është rreth 30 për qind e diçka. Mendoj se mungon një sinkronizim më i mirë. Shpresoj që kjo të përmirësohet në të ardhmen”, thotë Taravari.
Sa i përket komunikimit me BDI-në opozitare, ai tha se kjo ekziston në Kuvend mes deputetëve, sepse të gjithë deputetët, pavarësisht se nga cila parti vijnë, komunikojnë me njëri-tjetrin.
Sa i përket integrimit evropian të vendit, Taravari përsëriti vlerësimin e tij se nuk sheh së shpejti që procesi i eurointegrimeve të vazhdojë pa ndihmën e lehtësuesve nga shumë palë.
"Kryeministri Mickoski me të drejtë ka disa kushte që i kërkon që të ndodhin ndryshimet kushtetuese. Unë mendoj se ai ka absolutisht të drejtë këtu. Pa pëlqimin e VMRO-DPMNE-së nuk mund të ndodhin ndryshimet kushtetuese. Prandaj, duhet të shqyrtohen opsionet e mundshme për të lehtësuar dhe ndihmuar këtë proces nga të gjitha anët në mënyrë që Maqedonia të fillojë sa më shpejt negociatat me BE-në", ka thënë Taravari.
Ai mbrëmë në intervistën për “360 gradë” në RTM ka shprehur kritika të hapura për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Sipas tij, koalicioni VLEN funksionon “ngadalë” dhe duhet të gjendet një model për sinkronizim më të mirë. Një mendim i tillë, siç thotë ai, nuk ka qenë vetëm i tij personal, por e bazuar edhe në sondazhet e realizuara kryesisht te shqiptarët në vend.
"Mendoj se kemi shumë mangësi. Kjo nuk varet aq nga kryeministri Mickoski, por nga ne. Ka një lloj mospajtimi që shihet nga 100 kilometra larg, se ne po funksionojmë shumë ngadalë. Përshtypja në popull, që është më e keqja për ne, është se VLEN ka një pozicion shumë të dobët në Qeveri. Sapo bëra tre sondazhe, mes shqiptarëve në përgjithësi. Përshtypja e rreth 70% të popullsisë shqiptare është se VLEN nuk funksionon mirë, përfaqësimi i shqiptarëve në Qeveri nuk është i kënaqshëm”, theksoi Arben Taravari.
Ai ka thënë se kur flet për përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri nuk mendon në sasinë, por në cilësinë.