Prokuroria dhe MPB-ja do të informojnë për hetimin e zgjeruar për zjarrin në diskotekën "Puls"
- Prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski dhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski pritet sot në konferencë për shtyp të prezantojnë më shumë detaje lidhur me hetimin e zgjeruar për zjarrin në diskotekën në Koçan, për masat konkrete që propozohen dhe statusin e secilit të dyshuar në rastin e zjarrit në Koçan.

Shkup, 13 prill 2025 (MIA) - Prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski dhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski pritet sot në konferencë për shtyp të prezantojnë më shumë detaje lidhur me hetimin e zgjeruar për zjarrin në diskotekën në Koçan, për masat konkrete që propozohen dhe statusin e secilit të dyshuar në rastin e zjarrit në Koçan.
Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka lëshuar urdhër për zgjerimin e hetimeve për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit me 19 persona të rinj. Të gjithë dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 lidhur me nenin 288 të Kodit Penal, kumtoi mbrëmë Prokuroria shtetëtore. MPB-ja informoi se në koordinim me Prokurorinë e Koçanit, kunrdër 19 personave janë ngritur kallëzime penale.
PPRMV kumtoi se bëhet fjalë për zyrtarë të cilët në periudhën nga viti 2012 deri më 16 mars 2025, “së bashku, por secili nga aspekti i cilësisë, kompetencave dhe përgjegjësive të tij, nuk kanë vepruar fare në përputhje me rregulloren për masat mbrojtëse dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pronën në përmasa të mëdha”.
"Në mesin e të dyshuarve të rinj janë inspektorë të autorizuar ndërtimor në Komunën e Koçanit, drejtorë dhe inspektor i përgjithshëm nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ministra të ekonomisë, sekretarë shtetërorë dhe zyrtarë të tjerë nga ajo Ministri, si dhe inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Ka dyshime se veprimet dhe lëshimet e tyre të kundërligjshme kanë çuar në vazhdimësi që kabareja Klub Puls në Koçan, që nga fillimi për një periudhë të gjatë kohore, deri në rënien e zjarrit, të vazhdojë të kryejë aktivitete hoteliere pa plotësuar asnjë kusht ligjor dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e sigurisë për jetën e personave që kanë vizituar objektin. Si pasojë, gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit muzikor DNA, u shkaktua një zjarr, i cili rezultoi me vdekjen e 61 personave, përfshirë gjashtë fëmijë, ndërsa janë lënduar 197 personave të tjerë, nga të cilët 25 fëmijë, informoi PPRMV.
Prokuroria Themelore Publike e Koçanit mbrëmë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Koçan propozime për përcaktimin e masave të duhura për sigurimin e prezencës së secilit prej të dyshuarve të rinj.
"Me këtë deri më tani Prokuroria e Koçanit lidhur me zjarrin, ka iniciuar hetime ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë. Njëri prej tyre pas hapjes së hetimeve ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra nga zjarri dhe për këto arsye pas marrjes së dokumentacionit të plotë mjekësor, procedura ndaj tij do të ndërpritet, theksohet në kumtesën e sotme nga Prokuroria Publike Shtetërore.
Me tre automjete të policisë dhe përcjellje në Prokurorinë Publike Themelore në Koçan mbrëmë rreth orës 21:30 janë sjellë të dyshuarit e parë nga hetimi i zgjeruar për zjarrin në diskotekën “Puls”. Gjysmë ore më herët në Prokurori ka mbërritur prokurori publik shtetëror, Ljupço Kocevski, i cili nuk ka dhënë deklaratë për media, por theksoi se në konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme do t'i kumtojë detajet. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s